19:16, 16 Maj 2019

Ylli i futbollit francez, Antoine Griezmann, ka njoftuar për planet e tij për t’u larguar nga Atletico de Madrid në fund të sezonit.

Kjo u bë e ditur në një video të postuar në llogarinë zyrtare të klubit futbollistik në Twitter.

“Unë dua që t’iu falënderoj të gjithëve për dashurinë që më keni dhënë gjatë këtyre pesë vjetëve”, ka thënë Griezmann në këtë video.

Lojtari më i mirë i skuadrës dhe fituesi i Kupës së Botës ka deklaruar se e kishte njoftuar menaxherin e klubit Diego Simeone dhe drejtorin Miguel Angel Gil Marin për vendimin e tij.

Ky veprim i befasoi tifozët e Atletico de Madrid, shkruan EuroNews, transmeton Klan Kosova.

28 vjeçari në muajin qershor kishte nënshkruar një kontratë të re pesëvjeçare me klubin me një klauzolë të lëshuar prej 200 milionë eurosh.

Lojtari nuk ka treguar se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, por disa media në Spanjë dhe Angli po raportojnë se Griezmann do të shkojë në Barcelonë.

Griezmann kishte refuzuar një ofertë nga FC Barcelona vitin e kaluar.

“Shumë faleminderit për gjithçka. Jam shumë i kënaqur me veten në pesë vjetët e fundit, kam dhënë gjithçka në fushë dhe gjithmonë kam provuar të jem një person i mirë”, tha Griezmann në video.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë