Lajmet e fundit

Kombëtarja e Anglisë ka arkëtuar fitoren e parë në edicionin e ri të Nations League (Liga A), pasi mposhti Çekinë me rezultat të pastër 2-0 në duelin e vlefshëm për Grupin 3.
Përballja mori një kahje tjetër qysh në pjesën e parë, Çekia mbeti me një lojtar më pak në fushë që nga minuta e 25-të, kur Pavel Sulc u ndëshkua direkt me karton të kuq pas rishikimit të ndërhyrjes në sistemin VAR.
Përparësinë numerike anglezët e shfrytëzuan sapo nisi pjesa e dytë. Ishte sulmuesi Anthony Gordon ai që zhbllokoi shifrat në minutën e 47-të, duke tundur rrjetën me një goditje të saktë me kokë pas një krosimi të matur mirë në zonë, raporton Klankosova.tv.
Dominimin dhe qetësinë e “Tre Luanëve” e vulosi kapiteni Harry Kane në minutën e 69-të. Sulmuesi u tregua i vëmendshëm dhe shfrytëzoi në mënyrë ideale një top të mbetur të lirë para porte, duke e çuar rezultatin në 2-0.
Anglia pati rastin ta thellonte edhe më tej epërsinë në minutat e fundit, por goditja e Jude Bellingham u ndal nga një pritje spektakolare e portierit çek, Matej Kovar.
Me këtë fitore, Anglia arkëton tri pikët e para dhe pozicionohet krahas Kroacisë me nga tri pikë, teksa Grupin 3 e kryeson Spanja me gjashtë pikë të plota, kurse Çekia mbetet në fund të renditjes pa asnjë pikë.