Angela Griep flet për Klan Kosova nga hapësirat e Speciales; historia, procedurat dhe kërkesat - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Angela Griep flet për Klan Kosova nga hapësirat e Speciales; historia, procedurat dhe kërkesat

NULL NULL
02.03.2023 23:00
Angela Griep

Kamera e Klan Kosovës është e para e një televizioni kosovar që ka hyrë brenda ambienteve të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Fokusi i saj sjell pamje të hapësirave që nuk janë parë deri më tani.

Por përveç kësaj, është zëdhënësja e këtij institucioni, Angela Griep, që ka shpjeguar ekskluzivisht mbi funksionimin e brendshëm të Gjykatës Speciale.

Ajo ka folur prej historisë së objektit që ndodhet në Hagë, pastaj hapësirat – prej hyrjes deri tek ato që janë të paqasshme, e më pastaj për rregullat strikte.

Në bashkëbisedimin me të që e kanë zhvilluar drejtori i përgjithshëm i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi dhe gazetari Besnik Tahiri, Griep ka dhënë përgjigjen se pse në këtë objekt nuk ka asnjë simbol të Kosovës.

Për këto dhe çështje të tjera, lexojeni intervistën e plotë:

Faleminderit Angela, a mund të na tregosh ku jemi? Në cilën ndërtesë? Dhe çfarë është fillimi i ndërtesës?

Angela Griep: Fillimisht, mirë se vini në Dhomat e Specializuara të Kosovës! Këtu jeni në hyrjen publike të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe ku janë dollapët, do të shihni kur të shkojmë lart në galerinë publike se pajisjet elektronike nuk lejohen atje, kështu që njerëzit mund t’i vendosin në këta dollapë telefonat, xhaketat, orët e mençura dhe çfarëdo tjetër që nuk duan të marrin me vete, ato do të ruhen këtu dhe pastaj ata mund të shkojnë në zonën publike.

Pra këto dyer, kush hyn përmes këtyre dyerve?

Angela Griep: Kushdo që i viziton Dhomat e Specializuara, pra zakonisht janë njerëzit që vijnë për dëgjime publike, që duan të marrin pjesë në dëgjime para gjykatës, ose mund të jenë vizita grupore, shumë studentë të drejtësisë që janë të interesuar në drejtësinë ndërkombëtare, ata udhëtojnë për në Hagë dhe i vizitojnë të gjitha gjykatat. Ne jemi një nga ta, pra mund të jetë një grup studentësh që vijnë këtu për vizita, këto vizita janë të ngjashme me takimet tona në Kosovë, ne e shpjegojmë mandatin, procedurat, ata mund të bëjnë pyetje, të shprehin mendimet e tyre, shqetësimet dhe ne mundohemi të shpjegojmë sa më shumë që mundemi.

Gjykatësit, prokurorët, avokatët, ata kanë hyrje të veçanta?

Angela Griep: Ata kanë hyrje të veçanta, ata shkojnë direkt në sallën e gjyqit?

Po, pra na tregoni çfarë janë këto dyer?

Angela Griep: Pra kjo është zonë publike, që është e hapur për publikun dhe prapa këtyre dyerve janë zyrat. Ndoshta mund t’ju flas pak për ndërtesën. Siç e shihni, është një ndërtesë shumë e vjetër, ka shumë histori, në fillim ka qenë shkollë për djem, gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët e kanë okupuar këtë ndërtesë. Mund të shihni jashtë se ka një bunker të madh të rrumbullakët, që është bunker i ndërtuar nga gjermanët dhe kjo ndërtesë është bërë pjesë e strategjisë gjermane të Murit Atlantik. Pas luftës, autoritetet holandeze e kanë marrë nën kontroll këtë ndërtesë, mendoj se ka pasur policë dhe disa autoritete të tjera holandeze dhe pastaj Europoli është vendosur në këtë ndërtesë.

Kur është vendosur Europoli në këtë ndërtesë?

Angela Griep: Nuk jam e sigurt, në vitin 2008 ose 2009, pastaj ata e kanë ndërtuar ndërtesën e tyre dhe janë zhvendosur në vitin 2011. Kjo ndërtesë u bë e vogël për ta dhe pastaj për një periudhë shumë të shkurtë lëshohej me qira për artistë, aktorë, valltarë, të cilët ishin të gatshëm ta merrnin me qira këtë ndërtesë dhe hapësirat në këtë ndërtesë për periudha të shkurta, për më pak para, por kishin njoftime të shkurta sepse pastaj filluan renovimet për ta shndërruar këtë ndërtesë në atë që është tash, ndërtesë për gjykatë, e cila i ka të gjitha pajisjet teknike për transmetim të seancave në tri gjuhë, që të ketë mundësi të ofrojë konferenca për shtyp në tri gjuhët e kësaj gjykate dhe të ketë një sallë gjyqi moderne, të cilën do ta shohim nga galeria publike.

Pra kush lejohet të vijë këtu, për shembull, kur duan të marrin pjesë në një seancë, ose vizitorë si ne?

Angela Griep: Çdokush që ka një letërnjoftim valid lejohet të marrë pjesë në dëgjime publike, vetëm kjo u nevojitet ta keni me vete, këtu zakonisht i shihni se çfarë seanca do të ketë gjatë javës. Gjatë kësaj jave nuk ka seanca, pra ne kemi një njoftim që thotë se nuk ka seanca, gazetarët janë të mirëseardhur, studentët janë të mirëseardhur, por gjithashtu çdokush që kalon këtej dhe e sheh se ka një seancë, është i interesuar, ka një letërnjoftim me vete, mund të vijë dhe ta përcjellë seancën nga galeria publike.

Kush ulet këtu? Apo është vetëm…?

Angela Griep: Kjo është një hapësirë e hapur, pra ndoshta ka një pushim gjatë seancës dhe njerëzit nuk duan të dalin jashtë, mund të ulen këtu, ose nganjëherë e përdorim për të ofruar materiale informuese, i printojmë letrat informuese në rast se njerëzit duan të marrin më shumë informacione, apo raportet vjetore, në mënyrë që njerëzit që janë të interesuar të mund të marrin informata për gjykatën, derisa janë duke qëndruar këtu.

Dhe të gjitha shkrimet që i shohim këtu janë në tri gjuhë, njëra nga to është shqip dhe serbisht.

Angela Griep: Po natyrisht, pra gjuhët zyrtare të gjykatës janë shqip, serbisht dhe anglisht dhe çdo gjë, të gjitha përshkrimet janë natyrisht në të tri gjuhët, gjithashtu të gjitha dokumentet zyrtare të gjykatës ose janë, ose do të jenë në dispozicion në të tri gjuhët e gjykatës.

Pra jemi ekipi i parë televiziv që xhiron brenda kësaj ndërtese?

Angela Griep: Ka pasur një ekip televiziv para jush, por nuk ishte nga Kosova, ju jeni ekipi i parë televiziv nga Kosova që xhironi brenda kësaj ndërtese.

Pra pas kësaj pike telefonat nuk lejohen, apo jo?

Angela Griep: Kjo është e saktë, pra këtu është skaneri i dytë vetëm për ata persona që shkojnë në galerinë publike dhe, siç thashë më parë, në galerinë publike nuk lejohen pajisje elektronike, nuk lejohen pajisje për incizim, telefona, apo kamera, pra ato duhet të vendosen në dollapët që ua tregova më parë.

Pra në këtë rast mund t’i lëmë këtu?

Angela Griep: Në këtë rast nuk ka njerëz përreth, pra mund t’i lëmë këtu, pikërisht.

Zakonisht njerëzit kalojnë nëpër skaner, pra nuk mund t’i fshehin pajisjet elektronike, jo se duan por…

Pra Angela, na trego ku jemi duke hyrë tani dhe çfarë po shohim?

Pra jemi duke hyrë në galerinë publike, nga këtu njerëzit mund t’i dëgjojnë seancat publike dhe ajo që mund të shihni në këtë moment është se si perdja po ngrihet lart në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi t’i shohin seancat.

Pra kush mund të ulet këtu?

Kushdo që dëshiron të marrë pjesë në seanca publike mund të ulet këtu.

Pra familjet, diplomatët, studentët, vizitorë të tjerë?

Angela Griep: Po, familjet, diplomatët, studentët, anëtarët e familjeve të të akuzuarve lejohen natyrisht, ata duan të shohin së çfarë po ndodh në gjyq dhe në rast se kemi më shumë njerëz në galerinë publike, që ndodh rrallë, kemi 71 ulëse, pra ka mjaftë hapësirë, por në rast se ka shumë njerëz atëherë familjarët e të akuzuarve gjithmonë kanë prioritet.

Dhe do të ketë më shumë njerëz kur gjykimi të fillojë në prill.

Angela Griep: Potencialisht pres që në kohën e deklaratave hyrëse të ketë më shumë njerëz, pra zakonisht kushdo mund të hyjë, por nëse presim që shumë njerëz të vijnë, ne kërkojmë regjistrim paraprak, në mënyrë që të sigurohemi që për shembull familjarët kanë vend, që mediat të kenë mundësi të xhirojnë, epo të mos xhirojnë, por të kenë mundësi ta përcjellin seancën.

Pra përfaqësuesve të mediave që vijnë këtu u lejohet që me vete të kenë vetëm një laps dhe diçka në të cilën mund të shkruajnë, jo telefona…

Angela Griep: Kjo është e saktë, pra do jetë si në të kaluarën, jo telefona, jo kompjuterë, madje as orë të mençura, por siç do ta shihni ju mund të thoni në rregull, tash e kam storjen, tash më duhet ta shkruaj dhe mund të shkoni poshtë në qendrën e mediave dhe ta shkruani atje, mund ta merrni llaptopin me vete, telefonin, gjithçka.

Dhe kur të akuzuarit vijnë këtu, a mund të na thoni përmes cilës derë hyjnë në gjykatë?

Angela Griep: Po, por nuk do ta shihni nga këtu, sepse është poshtë, nga këtu hyjnë.

Po kur fillojnë seancat kush ku ulet?

Angela Griep: Pra gjykatësit hyjnë nga kjo derë, pra mund t’i shihni duke hyrë kur uleni në galerinë publike, ata ulen në këto ulëse, nëse është një panel gjykatësish, gjithmonë ka tre gjykatës dhe një gjykatës rezervë në mënyrë që seancat në fund të vazhdojnë edhe nëse njeri nga gjykatësit nuk mund të marrë pjesë për çfarëdo arsye. Përballë gjykatësve zakonisht është menaxhmenti i gjykatës dhe stafi mbështetës i dhomave, që i mbështet gjykatësit dhe kjo pjesë e madhe në të djathtën tënde është për mbrojtjen, këtu ulen ekipet e mbrojtjes si dhe të akuzuarit nëse i përcjellin seancat nga salla e gjyqit. Në anën tjetër atje ulen prokurorët dhe anash prokurorisë, ana e majtë është e rezervuar për konsulencë të viktimave dhe nganjëherë regjistri e vendos ndonjë përfaqësues atje në rast se nuk ka hapësirë në vende tjera në gjykatë.

Dhe atje është përkthimi, apo jo?

Angela Griep: Saktësisht, pra atje janë tavolinat për përkthim në mënyrë që të siguroheni se të gjitha seancat përkthehen në të tria gjuhët e gjykatës, në shqip, serbisht dhe anglisht dhe atje poshtë ka një dritare të vogël, epo goxha të madhe në fakt, ku ulen ekipet e zërimit dhe xhirimeve dhe ata i xhirojnë të gjitha seancat publike dhe pasi ta kemi versionin publik të seancave, mund t’i shihni seancat edhe në Youtube, pra i vëmë në dispozicion për ata njerëz që nuk kanë kohë të marrin pjesë derisa seancat janë duke u zhvilluar që t’i përcjellin ato më vonë.

A keni probleme me përkthim, për shembull në serbisht, apo në shqip?

Angela Griep: Jo, e di se ka pasur probleme teknike në fillim, veçanërisht kur kanë qenë masat mbrojtëse, por ato ishin çështje teknike lidhur me shtrembërimin e zërit, por ato janë zgjidhur dhe falë gazetarëve në Kosovë në fakt, që ishin shumë të shpejtë dhe menjëherë na informuan se ky person nuk po kuptohet dhe reaguam shpejt.

Pra ju e keni ndërruar personin?

Angela Griep: Jo, jo është një çështje teknike, pra çdo zë tingëllon ndryshe dhe i duhet një lloj i ndryshëm i shtrembërimit, pra nëse ke një zë më të ulët ose më të lartë, është një mënyrë e ndryshme se si zëri kuptohet kur shtrembërohet, pra janë çështje teknike, me të cilat në fillim kemi pasur probleme dhe janë zgjidhur, por nëse vëreni ndonjë problem ju lutem na njoftoni, ju jemi falënderues.

Sa i përket përkthimit, kam folur me një koleg timin dhe ka raste shumë të rralla kur ka keqkuptime në sallën e gjyqit dhe mund të zgjidhen gjatë seancës, kështu që nuk kemi probleme që lidhen me seancat.

Dhe siç e dimë ne shohim se çfarë po ndodh këtu me vonesë, pra njerëzit që ulen këtu i kanë këto ekrane të mëdha përballë tyre, ata nuk i shohin me vonesë, pra shohin gjithçka drejtpërdrejt dhe kur perdet mbyllen për seanca private atëherë përsëri dëgjojnë gjithçka në kohë reale.

Po, kjo është sepse gjithçka mund të shihet nga këtu, por ekranet janë veçanërisht të rëndësishme nëse dëshmitarët janë duke i dhënë dëshmitë, sepse dëshmitari vendoset këtu poshtë, pra nuk mund ta shohësh dëshmitarin nga këtu lart.

Pra askush nuk i sheh dëshmitarët, ata vendosen këtu poshtë?

Angela Griep: Askush në galerinë publike nuk i sheh dëshmitarët, siç mund ta shihni, natyrisht mbrojtja, të akuzuarit dhe të gjitha palët tjera mund t’i shohin dëshmitarët, por nga këtu askush nuk e sheh dëshmitarin, përveç në rastet kur dëshmitari shfaqet në ekran dhe atëherë ose dëshmitari nuk ka masa mbrojtëse me vendim të gjykatësve dhe pastaj e sheh personin duke dëshmuar, ose ai që keni parë online është një person me identitet të fshehur, por kjo është vetëm në rastet kur gjykatësit vendosin dhe në këto raste specifike është e domosdoshme që këto masa mbrojtëse përdoren.

Kemi një pyetje tjetër, kur të akuzuarit sillen nga qendra e paraburgimit, ku qëndrojnë fillimisht, sepse ata nuk vijnë direkt në gjykatë apo jo?

Angela Griep: Po, ka dhoma të dedikuara ku ata mund të qëndrojnë derisa janë duke pritur që të fillojnë seancat dhe gjithashtu gjatë pauzave dhe nëse është një seancë e gjatë natyrisht që u ofrohet ushqim dhe pije atyre.

Dhe për çështje të sigurisë ata ju informojnë juve kur sillen këtu nga qendrat e paraburgimit apo jo, ju thonë juve do t’i sjellim në ora 9:30 për shembull dhe ju duhet të jeni të përgatitur.

Këto janë çështje operacionale, të cilat unë nuk i di, sepse unë nuk i pres të akuzuarit, por gazetarët pra vijnë shumë më vonë dhe në këto çështje operacionale nuk mund të përgjigjem se si funksionon saktësisht. Mund t’ju them se sillen nga autoritetet holandeze nga qendra e paraburgimit në këtë ndërtesë, kanë dhoma të dedikuara këtu në ndërtesë dhe vijnë për të qenë në sallë të gjykatës, kështu që shumicën e kohës e kalojnë në sallë të gjykatës.

Por nuk ka qendër të paraburgimit në këtë ndërtesë këtu.

Angela Griep: Nuk ka qendër të paraburgimit këtu, ka dhoma të dedikuara për të akuzuarit që të rrinë derisa janë duke pritur këtu për seancat, por për shembull hapësira siç i kanë në qendrën e paraburgimit, që të kenë një dhomë të përbashkët ku mund të ulen bashkë, të kenë vizitorë dhe këto gjëra ne nuk kemi kapacitet për këtë, kjo është vetëm që ata të marrin pjesë në seanca.

Sa njerëz punojnë këtu?

Angela Griep: Nuk e di numrin e saktë, është rreth 300, por kjo e përfshin prokurorinë, regjistrin dhe dhomat, por nuk mund t’ju jap një numër të saktë, mund të përpiqem t’i gjej numrat, por nuk i di përmendësh.

Këtu për shembull është e pamundur të shihet një flamur i Kosovës brenda ndërtesës, apo jo?

Angela Griep: Po, ne i kemi vetëm flamujt tanë. Dhomat e Specializuara të Kosovës, siç e dini, operojnë me sistemin juridik të Kosovës, por korniza ligjore e tyre e mundëson që të operojnë në mënyrë të pavarur nga institucionet e Kosovës dhe gjithashtu nga çfarëdo aktori i jashtëm, pra ne këtu nuk kemi flamur të shtetit të Kosovës, gjithashtu na pyesin shpesh, sepse besoj se ka një ligj në Kosovë, i cili parasheh që disa institucione të caktuara duhet t’i kenë simbolet e Kosovës, pra për Dhomat e Specializuara të Kosovës, kur Kuvendi e ka aprovuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në atë ligj thuhet që për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ligji i Kosovës aplikohet vetëm kur përmendet në mënyrë specifike në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ligji për simbolet nuk është pjesë e saj.

Kemi parë një shenjë mjaft të vogël të Dhomave të Specializuara të Kosovës jashtë, nuk ka ndonjë shenjë të madhe, as asgjë.

Angela Griep: Nuk ka asgjë të madhe atje jashtë.

Doni të bëheni neutral, apo po punoni në bazë të ligjit?

Angela Griep: Neutral në kuptimin që jemi të pavarur dhe natyrisht që punojmë në bazë të ligjit të aplikuar për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Pra kjo është dhoma e dedikuar për media, operatorët mund të lidhen me këto ekrane, të cilat i transmetojnë pamjet me vonesë nga seancat publike dhe kjo u jep mundësinë t’i xhirojnë seancat me kualitet shumë të lartë dhe në të njëjtën kohë çdokush mund t’i xhirojë seancat nga kompjuteri i tyre në shtëpi, sepse është transmetim i njëjtë.

Pra ajo që mund të marrësh këtu është e njëjtë me atë që mund ta marrësh në shtëpi?

Angela Griep: Po, është saktësisht e njëjta që e merr në shtëpi, vetëm se mund të jetë më e lehtë të lidheni. Nuk e di çfarë duhet për të xhiruar pamjet nga kompjuteri në shtëpi, këtu mund të lidheni me ekranin dhe ta xhironi nga atje dhe pastaj natyrisht që si gazetar, mund të jeni lart në galerinë publike, mund të vini shpejt këtu poshtë, ta vendosni llaptopin në tavolinë dhe ta draftoni artikullin dhe ta dërgoni para se të shkoni në shtëpi dhe kjo iu kursen gazetarëve shumë kohë dhe natyrisht ne jemi këtu nëse gazetarët kanë ndonjë pyetje, është më e lehtë ta bëjnë pyetjen dhe ne u ofrojmë qartësime kurdo që ka nevojë.

Pra kjo derë është e hapur gjatë gjithë kohës, mund të dilni dhe të ktheheni sa herë të doni?

Angela Griep: Nëse ka gazetarë këtu, ata e marrin një kartë për shtyp dhe me të mund t’i hapni dyert, pra në asnjë pikë nuk mbylleni këtu si gazetarë.

Por nuk ka asnjë mënyrë për të raportuar nga këtu, pra u duhet të shkojnë jashtë dhe të raportojnë drejtpërdrejt, sepse në rastin tonë, ne jemi gazetarë të televizionit?

Angela Griep: Shpesh gazetarët shkojnë në galerinë publike dhe operatorët e kamerave xhirojnë nga këtu, pastaj i bashkojnë të gjitha pjesët, mund të raportoni nga këtu, ne kemi edhe gazetarë që ulen këtu me një grup të gazetarëve dhe pastaj shkojnë në dhomën e konferencave për shtyp për të realizuar intervista, apo për të bërë deklarata përpara logos së gjykatës, pra mund të raportoni nga këtu, por varet se çfarë doni të keni në kamera.

A kanë filluar të shfaqin interesim gazetarët e Kosovës që t’i ndjekin rastet, veçanërisht kur të fillojë rasti i Thaçit dhe të tjerëve?

Angela Griep: Po, kemi pasur kërkesa edhe për të ndihmuar me viza që ne t’i lehtësojmë për disa seanca të caktuara që gazetarët të mund të vijnë dhe të raportojnë nga këtu dhe natyrisht e kemi parasysh se jemi rilokuar dhe duam të bëjmë aq sa mundemi që t’ua mundësojmë gazetarëve të raportojnë nga Haga. Mendoj se kemi bërë mjaft për t’ua mundësuar gazetarëve të raportojnë për seancat nga Kosova, por na kanë thënë është pak më ndryshe në kuptim të atmosferës kur je në fakt këtu në Hagë, kështu që e kuptojmë se ka një dëshirë për të qenë këtu dhe e lehtësojmë këtë aq sa mundemi. Ka pasur disa kërkesa nga gazetarët e Kosovës që të jenë këtu.

A keni pasur sukses me çështjen e vizave, sepse e dini që ne e kemi këtë problem gjatë gjithë kohës?

Angela Griep: Po, pra nëse ju duhet të vini për një periudhë specifike, dua të mbuloj deklaratat hyrëse nga 3 deri 4 prill, atëherë ju lutem na informoni, ne mund t’ju ndihmojmë me terminet për viza, natyrisht duhet t’i keni të gjitha dokumentet gati dhe duhet të shkoni personalisht në terminin për vizë, por ne mund të ndihmojmë që ta lehtësojmë këtë.

Po gazetarët ndërkombëtarë, a janë të interesuar t’i ndjekin këto raste?

Angela Griep: Po ne kemi gazetarë të rregullt ndërkombëtarë këtu në këtë dhomë të medias, të cilët i ndjekin seancat, ata nuk janë gjithmonë këtu, por i ndjekin, ata gjithashtu në një pikë më thirrën dhe më thanë se konferencën për shtyp nuk mund ta ndjekin shumicën e kohës, por ju lutem vazhdoni, sepse shkojmë në ueb faqe dhe i marrim përmbledhjet e seancave çdo javë, në mënyrë që të jemi të informuar për ato që ndodhin në sallë të gjykatës.

Pra këtë e kemi parë tashmë disa herë, apo jo?

Angela Griep: Nëse i keni përcjellë konferencat për shtyp, atëherë po, e keni parë. Pra ky konfigurim është ashtu siç është gjatë konferencave, pjesëmarrësit i kam në Zoom, pra mund të shoh se kush është duke marrë pjesë, mund të shoh nëse dikush ka një pyetje dhe në rast se ka gazetarë në qendër të medias natyrisht ata janë të mirëseardhur që të vijnë dhe të marrin pjesë në konferenca live, kemi edhe mikrofona lëvizës, pra ajo që thonë mund të përkthehet në tri gjuhë, gjithashtu e përdorim këtë dhomë për vizita grupore.

Përkthyesit kanë punë me orar të plotë në Dhomat e Specializuara?

Angela Griep: Përkthyesit kanë orar të plotë. Sapo kontrollova, sepse nuk isha e sigurt se çfarë doni të dini për përkthyesit, sapo kontrollova numrin e faqeve që janë përkthyer dhe kemi 38 mijë, që t’ju jap një ide të fushëveprimit, pra po, janë staf me orar të plotë, mund të ketë edhe persona të kontraktuar, për të cilët nuk e di, por definitivisht…

A do ta shohim presidenten e gjykatës më shpesh në të ardhmen, për shembull këtu duke dhënë deklarata, apo intervista, sepse ka shumë pritje dhe interes në Kosovë për punën e kësaj gjykate?

Angela Griep: Do ta përcjelli këtë interes te ajo. Natyrisht që presidentja ka një orar të plotë, pra nuk e di sa shpesh do të ketë mundësi të jetë në këtë dhomë të konferencave dhe të flasë më gazetarët, por e di se është shumë e dedikuar që ta bëjë këtë sa më shumë që ka mundësi, që të komunikojë me publikun e Kosovës dhe me mediat e Kosovës.