17:21, 20 Maj 2019

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë lëshuar tash një komunikatë të përbashkët lidhur me procesin e djeshëm zgjedhor në katër komunat veriore.

Ata thonë se kanë përcjellë me vëmendje zgjedhjet e mbajtura dhe se e diela e 19 majit ka kaluar në një atmosferë të qetë, transmeton Klan Kosova.

“Sidoqoftë, ambasadat i rikujtojnë gjetjet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) të vitit 2017, që shprehën shqetësime serioze për frikësime në shumë zona të serbëve në Kosovë, sidomos kundër partive politike që garuan kundër Listës Srpska. Këto defekte, si dhe kërkesat për të përditësuar listat e votuesve dhe për të qartësuar procedurat, mbeten të paadresuara dhe kanë si rezultat konkurrencën dhe pjesëmarrjen e kufizuar politike, prandaj ngrisin pyetje lidhur me procesin e përgjithshëm demokratik në ato zona”, thuhet në kumtesë.

“Apelojmë te të gjithë akterët relevantë, përfshirë institucionet dhe partitë politike përgjatë gjithë spektrit, që të adresojnë urgjentisht këto defekte duke zbatuar rekomandimet e EOM-it”.

Ata inkurajojnë qytetarët dhe shoqërinë civile që t’i mbajnë partitë përgjegjëse për përkushtimin që ato kanë shprehur përmes deklaratës së përbashkët në Kuvendin e Kosovës në prill të vitit 2019 për forcimin e procesit zgjedhor.

“Ata që janë zgjedhur tani duhet të angazhohen për të përfaqësuar interesat e gjitha bashkësive në komunat e tyre”.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë