Ambasada e Kosovës në Gjermani: Kontributi i ish-komandantit Reinhardt ndaj republikës sonë nuk do të harrohet - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ambasada e Kosovës në Gjermani: Kontributi i ish-komandantit Reinhardt ndaj republikës sonë nuk do të harrohet

NULL NULL
02/12/2021

Republika e Kosovës ka humbur një nga miqtë më të mëdhenj në Gjermani, po vlerëson Ambasada e Kosovës në Berlin, në një reagim të saj referuar ndarjes nga jeta të ish-komandantit të KFOR-it, gjeneralit gjerman Klaus Reinhardt.

Sipas kësaj ambasade, gjenerali Reinhardt mbetet njëri nga shëmbëlltyrat e angazhimit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, njofton Klankosova.tv.

”Ai ishte një mik e dashamirës i Republikës së Kosovës dhe kontributi i tij ndaj republikës sonë nuk do të harrohet. Ka luajtur një rol prijës në stabilizimin dhe rritjen e sigurisë së gjendjes së Kosovës, të dalë nga lufta, dhe do të mbahet mend për përpjekjet dhe qëndrimin e tij parimor për ribashkimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës dhe për heqjen e të gjitha barrikadave. 

Tutje, Ambasada e Kosovës në Gjermani ka ndarë ditar shënimi rreth shërbimit të Reinhardtit në Kosovë.

”Gjenerali Reinhardt ka shërbyer në Kosovë menjëherë pas luftës së Kosovës, duke zëvendësuar gjeneralin britanik të KFOR-it, Michael Jackson, dhe duke marrë drejtimin e forcave paqeruajtëse prej 50,000 ushtarësh nga 39 vende. Gjenerali Reinhardt, si komandanti i parë gjerman i KFOR-it, qëndroi në këtë funksion deri më 18 prill 2000. Pas daljes në pension, në vitin 2001, gjenerali Reinhardt kishte vijuar aktivitetin e tij në fushën e industrisë, si dhe duke ligjëruar në shkenca politike dhe historinë moderne. I lindur në Berlin, ai ka studiuar histori dhe shkenca politike në Universitetin e Freiburgut. Gjenerali Reinhardt shkroi doktoratën e tij mbi dështimin e ofensivës gjermane jashtë Moskës në dhjetor 1941. Karriera ushtarake e gjeneralit Reinhardt kishte filluar qysh në vitin 1960 si kandidat për oficer për trupat malore.

Tre vjet më vonë ai u bë udhëheqës i togës në Batalionin e Këmbësorisë Malore 222 në Mittenwald. Nga viti 1966 deri në vitin 1967, ai ka shërbyer si oficer i S3 në shtabin e batalionit. Gjenerali Reinhardt ka përfunduar kursin e shtabit të përgjithshëm në akademinë komanduese të Bundeswehr-it në Hamburg nga viti 1973 deri në 1975, i ndjekur nga trajnimi i mëtejshëm i shtabit të përgjithshëm në SHBA. Pas gradimit të tij në nënkolonel, Reinhardt shërbeu si oficer shtabi në Grupin Qendror të Ushtrisë (CENTAG) të NATO-s në Heidelberg. I graduar në kolonel, Reinhardt shërbeu si axhutant i ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Manfred Wörner, nga 1983 deri në 1986, përpara se të merrte komandën e Brigadës 23 të Këmbësorisë Malore në Bad Reichenhall. Në tetor 1988, Reinhardt u promovua në gjeneral brigade, i cili u pasua nga një pozicion si shef i departamentit të shtabit për planifikimin në stafin komandues të forcave të armatosura në Hardthöhe në Bon.

Si gjeneral major, në tetor 1990, u bë komandant i Akademisë Komanduese të Forcave të Armatosura Gjermane. Reinhardt e transformoi këtë institucion në një institut strategjik-operativ dhe e hapi atë për ish-shtetet e Bllokut Lindor. Ai ka drejtuar misionet e para gjermane jashtë vendit në Somali, Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë. Gjenerali Klaus Reinhardt vdiq më 30 nëntor 2021. Ai la pas gruan dhe dy djemtë. Prehu në Paqe Mik i Madh i Republikës së Kosovës!”