Aliu: LDK dhe PDK janë reformuar në këto zgjedhje, por s’kanë shkuar larg

Aliu: LDK dhe PDK janë reformuar në këto zgjedhje, por s’kanë shkuar larg

NULL NULL
6 days më parë

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu ka thënë se dy partitë opozitare – PDK dhe LDK – janë reformuar dhe kanë bërë hapa para por, sipas tij, nuk është se kanë shkuar shumë larg.

“Është mirë që ka ndodhur dhe po ndodh reformë në LDK. Kjo është një ecje para brenda LDK-së, por jo që kanë shkuar larg. Nuk kanë shkuar shumë larg. Janë pak më mirë sesa që kanë qenë. Po flas për reformën në kuptimin e mendësisë dhe në këtë kuptim edhe LDK-ja edhe PDK-ja janë reformuar në këto zgjedhje lokale dhe ky është një hap para, por jo që kanë shkuar larg”.

“Këta po e konsiderojnë që reformën që e kanë bërë përbrenda iu ka dhënë përshtypjen sikur kanë shkuar shumë larg – kanë lëvizur, por nuk janë shumë larg. Në përbërje faktike janë po të njëjtit njerëz, por përpiqen të duken më të moderuar”.

Aliu, në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se është bërë mirë që Qëndron Kastrati ka humbur zgjedhjet në Kamenicë.

Ai ka dhënë edhe dy arsyet e tij se pse Kastrati nuk do të duhej të ishte edhe për një mandat në krye të kësaj komune ku njëra ndër to është edhe reforma në arsim për të cilën Aliu thotë se është bërë gabim.

“Fitorja e tij në Kamenicë ka ardhur si rezultat i punës të Vetëvendosjes dhe humbja e tij ka të bëjë me elementin e braktisjes. Për qytetarin, aktivistin e Lëvizjes dhe të gjithë të tjerët ka qenë mjaft irritues fakti që deri një ditë përpara ka qenë gjithçka mirë dhe përnjëherë ka ndryshuar. Kjo ka qenë shok për gjithë Lëvizjen Vetëvendosje dhe qytetarët. Një ditë përpara ti shihesh me Albin Kurtin në Kamenicë dhe gjithçka shkon mirë dhe të nesërmen ndryshon dhe kjo tregon se këtu ka diçka të pasigurt brenda”.

“Elementi i dytë është çështja e shkollave ku ai prezanton një subjekt që quhet Partia Socialdemokrate dhe socialdemokracia e synon avancimin e publikes. Dy shtyllat kryesore të publikes janë arsimi dhe shëndetësia. Cilësia e mësimdhënësve duhet të rregullohet në një tjetër mënyrë, por jo duke e eleminuar shkollën nga vendi, sepse është element publik. Kjo e sjell defektin në mendjen e qytetarëve që publiken e nënkupton dorën e shtetit e cila i afrohet qytetarit kudo që është ai dhe në dështimin tënd për ta ndërtuar këtë shoqëri që i afrohet qytetarit kudo e paraqet pasigurinë e pushtetit dhe më shumë idenë e suksesit të një lloj ndërmarrje e cila e ka biznesin dhe profitin përpara”.

“Praktika e tillë bie në kundërshtim me idenë e publikes e cila nuk e shikon domosdoshmërisht suksesin e atypëratyshëm por tenton të bëjë shtrirjen. Në këtë rast shoqëria jonë ka dështuar në Kamenicë dhe për mua është mesazh i mirë ajo që ka ndodhur në Kamenicë. Duhet të gjendet zgjidhje se si e forcon sistemin e arsimit aty ku është qytetari dhe përpiqesh t’i afrohesh sa më shumë atij dhe jo të centralizohesh për shkak se kjo gjoja është më praktike”.