Lajmet e fundit

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë, me inicialet A.B., nën dyshimin për posedim dhe transportim të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur më 3 prill 2026, rreth orës 12:30, në rrugën “Megzon Boshnjaku” në Gjakovë, transmeton Klankosova.tv.
Në bazë të aktakuzës, Policia e Kosovës, pasi kishte siguruar informacione paraprake, ka vëzhguar të pandehurin, i cili me automjetin e tij të markës “Ford Focus” është ndalur në parkingun e një restoranti.
Pas kontaktimit dhe identifikimit të tij nga hetuesit policorë, është kryer kontrolli i automjetit. Gjatë kontrollit, në ulësen e pasme janë gjetur dhjetë qese të mbushura me një substancë narkotike të dyshuar si marihuanë.
Substanca është sekuestruar nga hetuesit policorë, ndërsa sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), pas ekzaminimit është konstatuar se bëhet fjalë për marihuanë me peshë të përgjithshme prej 4 kilogramësh e 855.9 gramësh.
Prokuroria pretendon se me këto veprime, i pandehuri A.B. ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.