Lajmet e fundit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Naser Hafizit, i cili akuzohet për tri vepra penale dhe për shkaktimin e dëmit prej më shumë se 15.7 milionë euro ndaj buxhetit të shtetit. Aktakuzë është ngritur edhe ndaj Izedin Bytyqit, për veprën penale të “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, Hafizi, gjatë viteve 2021-2023, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që operatorëve ekonomikë të caktuar, ambalazhues të ujit, t’u mundësojë përfitime pasurore të kundërligjshme.
Prokuroria Speciale thotë se veprimet e tij kanë shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit në shumën prej 15.752.486,07 euro.
“N.H. gjatë viteve 2021-2023, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale transmeton Klankosova.tv
Sipas aktakuzës, Hafizi nuk i ka dërguar të gjithë operatorët ekonomikë në vlerësim të Grupit Punues Ministror. Pas pranimit të raportit të këtij grupi, ai, sipas Prokurorisë, i ka selektuar operatorët në tri grupe, me qëllim të favorizimit të tyre.
Kjo, sipas organit të akuzës, ka mundësuar që detyrimet financiare të operatorëve të përcaktoheshin mbi bazën e raportimeve të tyre të paverifikuara.
Prokuroria pretendon gjithashtu se Hafizi nuk i ka zbatuar vlerësimet e Grupit Punues gjatë caktimit të borxheve të operatorëve ekonomikë, duke ua zvogëluar detyrimet financiare për shfrytëzimin e ujit.
Për këto veprime, Hafizi akuzohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarja e parave” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Izedin Bytyqit, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Aktakuzat përfaqësojnë pretendimet e Prokurorisë Speciale dhe përgjegjësia penale e të pandehurve duhet të përcaktohet nga gjykata me vendim të formës së prerë.