17:18, 20 Maj 2019

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, sot, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, njëri shtetas i Republikës së Shqipërisë, ndërsa tjetri shtetas i Republikës së Serbisë, të cilët gjenden nën masën e paraburgimit që nga data 26 janar 2019.

Sipas aktakuzës, të pandehurve me inicialet F.TH. dhe L.M., më 24 janar 2019, rreth orës 16:00, në magjistralen Prishtinë – Gjilan, saktësisht në fshatin Ponesh, pa autorizim, me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes kanë transportuar substancë narkotike të llojit ‘’Marihuanë’’, në peshë prej 52.37 kg.

I pandehuri F.TH., pas një marrëveshje paraprake, e kishte marrë substancën narkotike nga një person i panjohur në Prizren, me ç’rast me automjetin e tij, të njëjtën në bazë të marrëveshjes është dashur t’a transportonte deri tek i pandehuri L.M., i cili edhe e kishte pritur në parkingun e Qendrës Tregtare ‘’ETC’’, në Gjilan.

Ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë në Gjilan thuhet se F.TH., është ndaluar në fshatin Ponesh nga policia, ku në bagazhin e automjetit iu është sekuestruar substanca narkotike, ndërsa i pandehuri tjetër L.M., është arrestuar deri sa ishte në pritje të substancës, tek i cili edhe janë gjetur të holla në shumë prej 2 mijë euro, për kompensim në bazë të marrëveshjes.

Në këtë mënyrë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, njofton Prokuroria Themelore e Gjilanit përcjellë Klan Kosova.

Konkurs Pune

Lexo më shumë