Lajmet e fundit
Arben Nekaj, i cili çdo natë transportonte punëtorët e fshatit Cërrcë dhe vendeve përreth për në Istog, derisa po kthehej për në shtëpi, në mesnatë pësoi aksident që i kushtoi me jetë.
Shoferi kombibusit, që kishte përfunduar orarin e punës dhe po kthehej në shtëpi, u godit nga një veturë me shpejtësi tejet të lartë që erdhi në drejtim të tij, raporton Klan Kosova.
Viktima 52-vjeç vdiq në vend.
Ndërkaq, vozitësi i veturës pikap, Dion Zekaj, që dyshohet se shkaktoi aksidentin, mori lëndime të rënda në duar, këmbë dhe kokë – dhe po trajtohet në QKUK.
Ndaj tij, sipas zëdhënësit të Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, është iniciuar vepra penale “rrezikimi trafikut publik”.
Lëndime trupore mori edhe pasagjeri që ishte në veturën e të dyshuarit dhe po trajtohet në Spitalin e Pejës.
Ndërkohë, ndaj 24-vjeçit që e drejtonte pikapin, pritet të vazhdohet me procedura ligjore pas mjekimit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 55 aksidente trafiku në vend, 28 me persona të lënduar e 27 me dëme materiale. /Klankosova.tv
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.