Lajmet e fundit

Me mbrëmjen letrare homazh kushtuar shkrimtarit, teoricienit dhe studiuesit të letërsisë Akademik Rexhep Qosja, i ndarë nga jeta në prill të këtij viti, sonte në muzeun në Kalanë e Ulqinit do të hapet edicioni XXXIV i manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”.
Për jetën dhe krijimtarinë e autorit do të flasin shkrimtari dhe profesori universitar Ag Apolloni dhe botuesja Irena Toçi. Pjesë nga krijimtaria e tij do të lexojë aktori Naim Berisha, ndërsa mbrëmja do të moderohet nga poeti dhe studiuesi i letërsisë Dr. Haxhi Shabani.
Dy mbrëmjet e tjera autoriale do t’u kushtohen shkrimtarëve dhe studiuesve të letërsisë Anila Mullahi – Elezi dhe Gëzim Aliu.
“Kalimera Poetike” është sot imazhi letrar dhe kulturor i Ulqinit dhe i shqiptarëve në Malin e Zi. Me traditën dhe trashëgiminë e saj, ajo zë vend nderi në hartën e festivaleve letrare që organizohen në hapësirën shqipfolëse dhe në vetë Malin e Zi.
Edicioni i këtij viti do të mbahet në tri vende të ndryshme në komunën e Ulqinit - Muzeun e Ulqinit në Kala, Librarinë “Ulqini” dhe Restorantin “Shasi”, duke synuar që përpos letërsisë të promovojē edhe trashëgiminë historike e kulturore dhe potencialet turistike të këtij qyteti./KlanKosova.tv