Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Akademia e Shkencave Shqiptare: Kadare ka qenë dhe do të mbetet emblemë e jona

NULL NULL
01.07.2024 13:21
Ismail Kadare
Ismail Kadare

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur ngushëllime për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se Ismail Kadare është dhe do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij.

“Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë ikjen pa kthim të prijësit historik të letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash; anëtarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtarit të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi”.

” Fituesit të çmimeve letrare më të rëndësishme në Europë e në Botë (“International Booker Man Prize”, “Prince of Asturias Aëard”, “Jerusalem Prize”, “Neustadt International Prize”, “Nonino”, “Park Kyong-ni”); personalitetit që u nderua mirënjohjet më prestigjioze në Shqipëri e jashtë vendit, në të gjitha kontinentet; shkrimtarit Ismail Kadare, mikut tonë të pazëvendësueshëm, akademikut që e mbushi me kuptim dhe e lartësoi këtë titull të lartë, me veprën e të cilit u rritën e u formuan dhjetëra breza në Shqipëri e kudo që flitet gjuha shqipe”.

“Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Kadare ka qenë dhe do të mbetet emblemë e saj, krahas vendit që ai ka zënë me plot meritë në shumë akademi dhe universitete brenda e jashtë vendit, ku është nderuar me titullin akademik “doctor honoris causa”. Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e veta në këtë çast të rëndë familjes së shkrimtarit Ismail Kadare, Helenës dhe dy vajzave, Gresës e Besianës; lexuesve e studiuesve të panumërt të veprës së tij, bashkësisë akademike e botës universitare, përkthyesve e shqipëruesve kudo në Botë, miqve, admiruesve dhe simpatizantëve të veprës së tij. Emri dhe vepra e Ismail Kadaresë do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë botës”, thuhet në reagim.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.