Ahmeti: Nëse Kurti s'është gati për kompromise, s'duhet të jetë kryeministër në këtë kohë (VIDEO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ahmeti: Nëse Kurti s’është gati për kompromise, s’duhet të jetë kryeministër në këtë kohë (VIDEO)

NULL NULL
1 month më parë

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ka ardhur koha që dialogu Kosovë-Serbi të marrë një epilog, ndonëse thotë se nuk sheh gatishmëri nga asnjëra palë që këtë çështje ta mbyllin.

“Asnjëra palë nuk po duket serioze në dëshirën e tyre për me pasë marrëveshje. [Ndërkombëtarët] gjithmonë thonë ‘ky është viti’, sivjet pak më serioz për shkak të Ukrainës. Përndryshe nuk ka vit që nuk kam dëgjuar që ‘ky është viti’. Në Serbi nuk shoh gatishmëri për marrëveshje ende. Nuk ka përgatitje të qytetarëve për një marrëveshje. Tash më shumë flitet për Rusinë dhe sanksionet që iu bë presion më shumë, çuditërisht, prej francezëve sesa prej krejt të tjerëve. Por, edhe në Kosovë nuk i marrim seriozisht deri në dy ditët e fundit pastaj, si për Gjykatë Speciale e gjëra të tilla, ia nisin me i thirr një nga një deputetët a janë në sallë”.

Ahmeti që dikur ishte pjesë e Vetëvendosjes dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Albin Kurtit beson se ky i fundit, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, është i gatshëm të bëjë kompromise në dialog me Serbinë.

“Nuk mundesh me pranu me shku në dialog e me thënë ‘nuk lëshoj pe për kurgjo’. Nëse nuk je i gatshëm për çfarëdo kompromisi dhe mendon që Kosova ka bërë, atëherë dil prej dialogut. Mendoj që [Albin Kurti] është i gatshëm. Me ndërkombëtarët ka qenë gjithmonë problem me Albin Kurtin që e kanë keqlexuar në plot gjëra, edhe atëherë kur ishte përkrahja me koalicionin në Qeverinë Kurti 1, mendoj që e kanë lexu që po ndryshon, sepse ka vënë kravatë dhe është në institucione e nuk është më njëjtë”, deklaroi ai në “Rubikon” të Klan Kosovës.

Ai thotë se nëse presioni ndërkombëtar fillon të shtohet për çështjen e dialogut me Serbinë, atëherë edhe grupi parlamentar i Vetëvendosjes do të tkurret.

“Mendoj që është i gatshëm për kompromis, përndryshe mendoj që një nga një do t’i hiqet përkrahja edhe e deputetëve. Kur je në opozitë je ndryshe dhe mundesh me fol çka dush, derisa kur je në qeverisje mban përgjegjësi. Nëse ia nis me u shtu presioni dhe një nga një t’i heqin”.

Shpend Ahmeti thotë se nëse Albin Kurti nuk është gati për kompromise, atëherë nuk duhet të jetë kryeministër në këtë kohë.

“Duhet ta kemi një marrëveshje se po na mban për qafe. Duhet të jetë lider dhe lideri bën kompromise. Po të dilte i sinqertë dhe të thoshte se ‘duhet të bëjmë kompromise, por mendoj se me mua do të kemi kompromise më të mira sesa me dikë tjetër’ edhe mund të flasim e vazhdojmë. Nëse vazhdon me thanë ‘unë jam i fortë që edhe Amerikës i bëj rezistencë’ e në anën tjetër i bën do kompromise palidhje, atëherë përveç që s’ka rezultate në jetën e njerëzve në cilësi as në arenën ndërkombëtare nuk do të ketë”.