AGK: Telekomi të distancohet nga gjuha kërcënuese dhe denigruese e Kelmendit (VIDEO) NULL NULL 14.12.2022 23:42 14.12.2022 23:42 Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar sërish për akuzat dhe gjuhën denigruese që ushtruesi i detyrës së drejtorit financiar të Telekomit, Feim Kelmendi, ka përdorur ndaj gazetarëve të emisionit KIKS Kosova. Pranvera Behluli, anëtare e bordit të AGK-së, në një intervistë për Kiksin, ka deklaruar se gjuha e tillë kërcënuese dhe denigruese, nuk i shërben medias së lirë, transmeton klankosova.tv. Sipas saj, Kelmendi do duhej të ishte model i qasjes dhe dhënies së informacioneve dhe jo shembull i keq, pasi që Telekomi është ndërmarrje publike dhe si e tillë, ajo thotë se ata janë të detyruar të japin përgjigje për mediat. AGK ka apeluar sërish menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje që të distancohen nga gjuha e Kelmendit. “Ne edhe përmes reagimit si AGK kemi kërkuar nga bordi dhe drejtoresha që të distancohet nga gjuha e përdorur e Kelmendit. Forma se si janë etiketuar gazetarët sikur janë shërbëtorë është e papranueshme dhe e paprecedentë.” “Ne presim që menaxhmenti aktual i Telekomit të distancohet dhe urojmë që të jetë e fundit qasje e tillë ndaj gazetarëve ngase është shqetësuese kur ne presim që transparenca të rritet ndaj mediave. Ky nuk është shembull aspak i mirë dhe presim një distancim ngase është ndërmarrje publike dhe ka për detyrë të jetë transparente”, shtoi ajo. Behluli shprehu shqetësimin e këtij asociacioni edhe për mungesën e transparencës së institucioneve kur bëhet fjalë për kërkesa në qasje në dokumente publike. “Ne në konferenca e diskutime e kemi shprehur shqetësimin tonë sepse transparenca e institucioneve nuk është e duhura. Marrim ankesa vazhdimisht nga gazetarët se nuk u ofrohet qasje në dokumente zyrtare”, përfundoi ajo.