Agim Veliu: Me qeverisje pa korrupsion, Podujeva do të mbesë bastion i LDK-së

Agim Veliu: Me qeverisje pa korrupsion, Podujeva do të mbesë bastion i LDK-së

NULL NULL
2 muaj më parë

Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, është shprehur i bindur se LDK do të vazhdojë të mbajë bastionin në Podujevë për shumë gjatë dhe madje thotë se këtë do ta bëjnë pa asnjë aferë korruptive.

“Jam i bindur që LDK-ja edhe kësaj radhe do të del fituese edhe për këtë pjesë të mandatit sa ka mbetur, sepse është fjala për një periudhë njëvjeçare. E kemi bërë punën tonë,  jemi takuar me popullin dhe besojmë shumë në fitore. Ne do të vazhdojmë ta ruajmë votën dhe elektoratin tonë. Podujeva do të mbesë bastion i LDK-së edhe më tutje dhe do të qeverisim me Podujevën sikur kemi qeverisur që sa vite – pa asnjë aferë korruptive. Kjo është diçka e vërtetë. Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasë asnjë aferë apo keqpërdorim të mjeteve buxhetore, të parasë apo pronave publike”.

Për përleshjen që ndodhi mes aktivistëve të LDK-së dhe të Vetëvendosjes në qendër të Llapit, Veliu mbrojti ata të LDK-së duke thënë se u provokuan me brohoritje nga pala tjetër.

“Ne kemi zhvilluar aktivitetet parazgjedhore, pra ato që i kemi pasë në plan në bazë të agjendës. Një prej tyre ka qenë sheshi i qytetit ku e kemi pritur kryetarin Mustafa që ka qëndruar për pak kohë. Ne disa anëtarë të kryesisë dhe aktivistë jemi tubuar për ta pritur Mustafën, sepse kishte paralajmëruar që do të qëndrojë në Podujevë për pak kohë. Disa aktivistë tanë janë tubuar para një lokali si pikëtakimi. Por, me të dëgjuar lajmin se Isa Mustafa do të vijë, aktivistët e Vetëvendosjes janë grumbulluar dhe gjatë kohës sa ne prisnim që të vijë kryetari ata tërë kohën kanë bërë provokime. Këtyre provokimeve ne nuk jemi përgjigjur dhe kemi kryer punën tonë”.

Nënkryetari i LDK-së në Klan Kosova ka folur edhe për problematikat e pushtetit qendror që tashmë u shfaqën me shkuarjen e ish-presidentit Thaçi në Hagë.

“LDK ka kohë që po insiston që subjektet të mblidhen në një tryezë dhe të flasim për presidentin. Deri në momentin kur Thaçi ka dhënë dorëheqje LDK s’e ka pasë temë diskutimi. Ne mendojmë që bashkërisht me partitë e koalicionit, por edhe me subjekte të tjera përfshirë edhe Vetëvendosjen, të diskutojmë këtë çështje dhe të gjejmë formën e daljes nga kjo krizë momentale”.

Por, në pyetjen se a e do LDK për vete postin e presidentit, Veliu nuk u përgjigj duke thënë se për këtë s’kanë diskutuar.

Ministri i Brendshëm arsyetoi edhe mungesën e tij në interpelancën e sotme duke thënë se nuk ka pasë temë për çka të ftohet.

Ndërkaq, për deputetët e Vetëvendosjes që kritikuan refuzimin e tij, ka thënë se ata po duan që ta cilësojnë si ministër që s’i përgjigjet komisioneve parlamentare.