Afgania u ankua për kushte në Bondsteel, SHBA thotë që “Liya” është e mirë (VIDEO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Afgania u ankua për kushte në Bondsteel, SHBA thotë që “Liya” është e mirë (VIDEO)

NULL NULL
nga Rina Mujku 1 month më parë

Për herë të parë nga kampi i refugjatëve afganë “Liya” në Bondsteel doli një imazh i rrallë i një dhome ku qëndrojnë të evakuuarit nga Kabuli.

Fotografinë ua nisi gazetarëve të “Wall Street Journal” Fawzai Stanikzai, gruaja e ish-shefit të inteligjencës afgane, e cila u ankua për kushtet e rënda.

Gazetarët kosovarë nuk panë ndonjëherë nga afër këto kushte, por nga misioni diplomatik amerikan në Prishtinë mohojnë të ketë pakujdesi në kushtet brenda kampit.

“SHBA ka marrë gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar një ambient të sigurt dhe të rehatshëm në kampin ‘Liya’, derisa rastet e afganëve procedohen. Të gjithë afganët në kampin ‘Liya’ trajtohen denjësisht dhe me respekt dhe kjo do të vazhdojë kështu. Ne kemi siguruar ushqim, qëndrim, edukim, ndihmë mjekësore, kushte për praktikim të besimit dhe nevoja tjera të afganëve dhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë në kampin ‘Liya’”, i ka thënë Klan Kosovës, Eric Brassil, zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Më i madh se ky është shqetësimi tjetër që WSJ ngriti sërish.

Raportohet se 16 afganë të strehuar në Bondsteel nuk e kaluan verifikimin si pasojë e lidhjeve me talebanët dhe grupet tjera terroriste të sanksionuara nga Amerika.

Nga ambasada nuk pranuan të komentojnë mbi këtë. Thanë vetëm se personat më problematikë mund të udhëtojnë në shtete tjera, madje edhe në Afganistan.

“Kjo përfshin koordinim me shtetet partnere dhe aleate ndërkombëtare për të identifikuar vendet që shprehin vullnet për të mirëpritur këta afganë, ose kur njëri nga afganët do që vullnetarisht të kthehet në Afganistan, mund të asistojmë procedurat”.

Siç merr vesh Klan Kosova, në “Liya” tani ndodhen vetëm 75 refugjatë, ndërsa verifikimin e kanë kaluar afër 600 afganë që shkuan në SHBA.