18:59, 29 Maj 2020

Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që erdhi në përfundim se dekreti i presidentit për nominimin e Avdullah Hotit për kryeministër, deputeti i LDK-së Arban Abrashi tha se kanë qenë të bindur në këtë aktvendim.

“Realisht e themi po atë qëndrim që e kemi thënë edhe kohë më parë që LDK-ja do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese – jo vetëm këtë, por edhe vendimet e mëhershme – sepse, Gjykata Kushtetuese si organi më i lartë duhet të respektohet. Mbi të gjitha është edhe obligim ligjor dhe kushtetues që të gjitha organet publike, duke përfshirë edhe Kuvendin dhe Qeverinë, të respektojnë dhe të bashkëpunojnë me Gjykatën Kushtetuese”.

“Gjithsesi që kemi dërguar komentet tona dhe kemi qenë të bindur në këtë lloj aktgjykimi, sepse po flasim për një demokraci parlamentare ku thelbi është shumica në Kuvend”.

“E mirëpresim këtë aktvendim dhe ftojmë të gjitha subjektet politike sikur tani, por edhe në të ardhmen për çfarëdo çështje që ngritet në Gjykatë Kushtetuese të respektojnë ato vendime”.

Abrashi në Info Magazine të Klan Kosovës ka komentuar të gjitha cilësimet që Lëvizja Vetëvendosje ka bërë karshi LDK-së dhe partive të tjera ku mes tjerash thotë se janë bërë “marioneta të presidentit Hashim Thaçi”, derisa për Gjykatën Kushtetuese vlerëson se “u rreshtua me kapësit e shtetit”.

“Kjo aspak nuk është e vërtetë. Ndjej keqardhje për këtë gjuhë dhe narracion që po e shtyn përpara Lëvizja Vetëvendosje, dhe më shumë duket si indoktrinim se sa politikë normale. Po flasim për demokraci parlamentare ku gjithçka sillet rreth Kuvendit që zgjedh organet e tjera, si presidentin dhe qeverinë”.

“Qasja e tillë nuk i bën mirë demokracisë në Kosovë. Kjo qasje nuk fillon vetëm sot, por që nga qeverisja e Albin Kurtit kemi parë se kanë shkelur mbi Kushtetutën dhe vendimet e saj – dhe janë sjellë sikur asgjë nuk po ndodh dhe si duket kjo është mënyrë e politikbërjes së tyre”.

“Albin Kurti nuk po e gjen veten në këtë sistem politik, nuk po mund të funksionojë në kuadër të kësaj Kushtetute dhe po del jashtë rendit kushtetues dhe kjo është keq edhe për vet Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qytetarët e Kosovës, sepse po i indoktrinon me shumë të pavërteta”.

“Diskursi i përgjithshëm që po përdorin si fjalitë ‘të gjithë janë rreshtuar nën presidentin’, ‘Garda e vjetër në LDK’, ‘parti e stërvjetruar’ tregon që nuk e kanë sensin themelor për politikbërje dhe atë elementar të bashkëpunimit. Kushtetuta në Kosovë imponon kompromis dhe mirëkuptim mes subjekteve politike, prandaj nëse një kryetar partie thotë vazhdimisht që disa janë të vjetër, të këqinj dhe nuk dinë, atëherë kjo është e papranueshme dhe përbën një përjashtim prej këtij sensi politik”.

Por, çka thotë Arban Abrashi për protestat e mundshme që mund të organizojë Lëvizja Vetëvendosje për të kundërshtuar vendimin e Kushtetueses?

“Nëse dikush shkel vazhdimisht Kushtetutën dhe po lobohet që të mos respektohet Kushtetuta, atëherë organet përgjegjëse duhet të marrin veprime konkrete”.

Si e sheh ai faktin që qeveria e re me shumë gjasë do të krijohet nga të gjitha subjektet e tjera politike, pa përfshirjen e subjektit fitues – që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje?

“Albin Kurti dhe të gjithë simpatizantët e tij duhet ta dinë që LDK-ja e ka bërë Albin Kurtin kryeministër. Ka qenë marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe LDK-se që e ka prodhuar Albin Kurtin si kryeministër, sepse nuk i ka pasë 61 deputetë të Vetëvendosjes për të formuar qeverinë”.

“LDK-ja ka bërë edhe kryeministra të tjerë, duke përfshirë edhe Ramush Haradinajn. Ne i kemi dhënë shansën Albin Kurtit që të tregojë veten, por nuk është problem i LDK-së pse ai s’ka ditur ta menaxhojë koalicionin ashtu siç i ka hije një kryeministri”.

Kur do të mbahet seanca për votimin e Qeverisë Hoti?

“Ne kemi qenë të gatshëm që të formojmë qeverinë javë më parë, para vendosjes së masës së përkohshme. Kur kemi dorëzuar kërkesën për mandatar, ne i kemi pasë nënshkrimet me shumicën e nevojshme parlamentare. Ne kemi po atë shumicë, në mos më shumë, dhe synojmë që sa më shpejt të formojmë qeverinë, sepse nga gushti i vitit të kaluar Kosova nuk ka qeveri stabile dhe kjo po shkakton dëme të mëdha ekonomike”.

“Ne mezi po presim që të vijë dita kur të formojmë qeverinë. Ka të bëjë me procedurat e brendshme ndërinstitucionale, sepse po presim tërë materialin dhe aktgjykimin nga Gjykata Kushtetuese që t’i dorëzohet palëve. Posa ta marrim aktvendimin, ne e dorëzojmë kërkesën për seancë. Shpresoj që gjatë vikendit të ndodhë dorëzimi i materialit”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë