19:18, 29 Maj 2020

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e dekretit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e Qeverisë së re, Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur të ‘padrejtë’ dhe të ‘papranueshëm’.

Artan Abrashi nga kjo parti, vlerëson se disa “subjekte të vjetra politike”, janë bërë bashkë me presidentin Thaçi për të ushqyer sipas tij, apetitet e mëdha që i kanë për pushtet.

Abrashi në Info Magazine në Klan Kosova e ka quajtur Thaçin përçarësin më të madh dhe një figurë jounifikuese.

“Na vjen keq që disa parti politike vetëm për shkak të apetiteteve të tyre për pushtet më të madh, kanë rënë pre e grackës së këtij personi [Thaçit] dhe i janë nënshtruar duke u bërë marioneta e tij, në aventura të rrezikshme. Koha do të tregojë më së miri se kush ka të drejtë”.

Ndërsa Arban Abrashi nga LDK-ja, në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që ndjen keqardhje nga kjo gjuhë që po përdorë VV-ja, e cila sipas tij, më shumë duket si “indoktrinim” sesa politikë normale.

“Po flasim për demokraci parlamentare, ku gjithçka sillet rreth Kuvendit që zgjedh organet e tjera, si presidentin dhe qeverinë”.

“Qasja e tillë nuk i bën mirë demokracisë në Kosovë. Kjo qasje nuk fillon vetëm sot, që nga qeverisja e Albin Kurtit kemi parë se kanë shkelur mbi Kushtetutën dhe vendimet e saj – dhe janë sjellë sikur asgjë nuk po ndodh dhe si duket kjo është mënyrë e politikbërjes së tyre”.

“Albin Kurti nuk po e gjen veten në këtë sistem politik, nuk po mund të funksionojë në kuadër të kësaj Kushtetute dhe po del jashtë rendit kushtetues dhe kjo është keq edhe për vet Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qytetarët e Kosovës, sepse po i indiktrinon me shumë të pavërteta”.

“Diskursi i përgjithshëm që po përdorin si fjalitë ‘të gjithë janë rreshtuar nën presidentin’, “Garda e vjetër në LDK’, ‘parti e stërvjetruar’  tregon që nuk e kanë sensin themelor për politikbërje dhe atë elementar të bashkëpunimit”, është shprehur Abrashi.

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë