Lajmet e fundit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar veprimtarin dhe ish-kryetarin e Mitrovicës, Faruk Spahija, në 21-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e Spahisë në politikë, demokraci dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një figurë të rëndësishme të LDK-së dhe të Mitrovicës.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka theksuar se Spahija ishte ndër themeluesit e LDK-së në Mitrovicë dhe bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik, Ibrahim Rugova.
“Faruk Spahija i përket brezit të njerëzve që në periudhat më të vështira të historisë sonë zgjodhën të qëndrojnë në anën e lirisë, demokracisë dhe shtetndërtimit”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka përmendur edhe zgjedhjen e Spahisë dy herë në krye të Komunës së Mitrovicës, duke thënë se besimi i qytetarëve ishte vlerësim për integritetin, punën dhe përkushtimin e tij, transmeton Klankosova.tv.
Abdixhiku ka theksuar se ndarja e parakohshme nga jeta nuk e lejoi Spahinë ta përfundonte mandatin e dytë, por puna dhe trashëgimia e tij mbetën pjesë e historisë politike dhe qytetare të Mitrovicës.
“Sot, 21 vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Faruk Spahija kujtohet si një burrë i urtë, i ndershëm dhe i përkushtuar, që shërbimin publik e kuptoi si përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe vendit”, ka shkruar ai.
Në fund, Abdixhiku ka shprehur nderimin dhe mirënjohjen për kontributin e Spahisë ndaj Mitrovicës dhe Kosovës.