Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Abdixhiku për draft-statutin: Paraqet autonomi me rrugëtim potencial për federalizim

NULL NULL
09.12.2023 11:47
lumir abdixhiku
Foto: Arkiv

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë mbledhjes së parë të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ka folur mbi draft-statutin e Asociacionit, të pranuar një javë më parë.

Abdixhiku tha se në leximin e tij politik, draft-statuti i Asociacionit, i propozuar nga ndërmjetësit e dialogut mes Kosovës e Serbisë paraqet autonomi, me rrugëtim potencial për federalizim.

“Për ta thënë thjesht, në leximin tim politik, ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim. Nis në preambulë me Rezolutën 1244, si paralele e Deklaratës së shpalljes së Pavarësisë e përfundon me arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese”, tha Abdixhiku, njofton Klankosova.tv.

Ai tha se drafti, paraprakisht ka pasur synime nga ndërmjetësuesit që të jepët vetëm për lexim, por një gjë të tillë, Abdixhiku tha se ka konsideruar si ofendim të rëndë.

“E kam konsideruar si ofendim të rëndë që një parti shtet-formuese, bartëse e procesit të dialogut nëpër vite të jetë vetëm observuese me memorie fotografike e një dokumenti 45 nenësh dhe t’i jep mbështetje apriori pa e kuptuar atë në thelb”.

“Dorëzimi i dokumentit, i ndodhur tashmë ka qenë gjithnjë forma e vetme, e duhur, por gjithsesi është i vonshëm dhe na vjen pas afatit për dorëzimin e komenteve për të. Dhe që ta keni  të qartë, LDK-ja s’ka qenë fare e përfshirë në këtë proces”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Abdixhiku kritikoi qeverinë për pranimin e një dokumenti të tillë, i cili sipas tij, paralelizon Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë me Rezolutën 1244.

“Se si e pranojnë që Asociacioni, si trupë autonomie të mbajë jo brenda Gjykatës Kushtetuese, por në sistem arbitrazhi, kjo për ne mbetet tërësisht e pakuptimtë. Ndoshta, përgjigjen mund ta gjejmë tek vetë deklarimet e tyre, që Kosovën e shohin veçse të përkohshme”.

“Por, unë besoj që prapa kësaj fatkeqësie mosbesuese në një shtet që meriton konfirmimin sot, qëndron një paaftësi e thellë dhe një apetit për një popullizëm destruktiv, që na sjell gjithnjë në situata edhe më të rënda se paraprake”.

“Dhe situata e tanishme është më e rënda e mundshme që kemi pasur ndonjëherë. Në këtë pikë dua ta bëjë të qartë se LDK-ja s’mund ta mbështet asnjë produkt që del jashtë kornizave kushtetuese të Kosovës e jashtë rregullimit territorial të Kosovës”, tha Abdixhiku, njofton Klankosova.tv.

Më tej, kreu i LDK-së tha se autonomia derivon nga Marrëveshja e Ohrit, për të cilën tha se LDK-ja kishte ngritur me kohë shqetësimet e saja.

“Qëndrimet tona mbi preambulën e kësaj marrëveshjeje, ku nuk parashikohej njohja de jure, por mosparagjykimi i statusit politik i yni si dhe në nenin 7, ku vetëmenaxhimi shihej si e drejtë për një komunitet, kishte nisur bazën e kësaj autonomie që tani mund të shndërrohet në rregullim federal”.

“Pra, si përfundim, qeveria populliste e Kosovës ka arritur që për dy vjet e gjysmë, dialogun ta prodhojë në produkt që na jep autonomi, të mbikëqyrur ndërkombëtarisht, me potencial të shndërrimit tek një organizim federal dhe për kthim të mos marrë as njohjen reciproke, por dialogun ta shndërroj në proces të vazhdueshëm në gjithë këtë dekadë, deri në një moment të ri, kur sërish duhet të formalizojmë në një marrëveshje, me siguri të re me Serbinë, kompromiset e ardhshme tona”, tha ai.

Ai më tej tha se LDK-ja i mbetet besnike idesë së saj fillestare, që dialogu me Serbinë duhet të bëhet rreth njohjes reciproke dhe se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës.

“Ky obligim i yni ndërkomëbtar duhet të jetë produkt i vetë Kosovës dhe në këtë produkt as Rezoluta 1244 as arbitrazhi e as nënshkrimi i një presidenti të një shteti fqinj, aq më pak i Serbisë, nuk ka vend”, tha ai.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.