A po bëhet Ibrahim Kodra me muze në Prishtinë? - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

A po bëhet Ibrahim Kodra me muze në Prishtinë?

NULL NULL
07/07/2015
Në 100 vjetorin e lindjes së piktorit Ibrahim Kodra, ka mundësi që një copë jete e shkrirë në pëlhurën e një artisti të vijë në Prishtinë.

Në vitin 2018, artisti më i mirë shqiptar do ti mbushte 100 vjet. Ai nuk jeton mirëpo shumë lehtë ka mundësi që një pjesë e veprave të tij të qëndrojnë gjatë në Prishtinë.

Këtë iniciativë e ka marrë Maria Pacolli.

“Unë përkujdesem për fondacionin e Ibrahim Kodrës në Llugano, ne kemi një hapësirë ekspozuese ku realizojmë disa ligjërata të muzikës, ekspozita, dhe konferenca të ndryshme si dhe aktivitete të tjera kulturore”, ka thënë Pacolli për Klan Kosovën.

“Ne dëshirojmë që realizojmë një muze të Ibrahim Kodrës  në Prishtinë për nder të 100 vjetorit të lindjes së tij e që do të jetë në vitin 2018”.

Pacolli thotë se tashmë janë në kërkim të një hapësire të mirë në mënyrë që të realizohet kjo.

“Ne kemi më shumë se 40 vepra arti të Ibrahim Kodrës dhe po mundohem të sjellim njerëzve disa periudha të jetës së tij, se si ishte ai, sesi kishte ndryshuar pas luftës së dytë botërore por edhe punët e tij nga vitet e 60-ta, 70 – ta, 80-ta por edhe më vonë sepse ai ka punuar deri në fund të jetës së tij, andaj dëshirojmë ta tregojmë gjithë spektrin e personalitetit të tij”, tha Pacolli.

I pëlqen shumë arti ndërsa për Kodrën thotë se është një artist me një fuqi të madhe i cili sjell mesazhin e paqes. Sipas Maria Pacollit punët e tij janë plot ngjyra jete.

Fondacioni Ibrahim Kodra nuk merret vetëm me punët e tij por promovon edhe artistë të rinj nga Kosova por edhe nga e gjithë bota.

Për ata që nuk e dinë, Kodra kishte hapur ekspozita kolektive por duke i patur edhe miq piktorët e njohur si Pablo Picaso apo Dali.

Në vitin 1968, Ibrahim Kodra, hapi një ekspozitë në Prishtinë. Dhe ky ishte një mesazh i tij.

“Më 1968 çela një ekspozitë në Prishtinë, në Kosovë. Për mua ish një ngjarje e paharruar – ish kthimi në Atdhe, po shprehem në mënyrë letrare – sepse gjer më atëherë nuk kisha pasur lidhje kulturore me shqiptarët e Ballkanit në përgjithësi, dhe në veçanti me ata që jetonin në (tash, ish) Jugosllavi. Kurrë nuk pandehja se mes shqiptarëve të Kosovës – Metohija, siç e quanin asokohe, ish ngritur një industri kulturore e përbërë nga gazetat, revistat, teatrot, shtëpitë botonjëse. Mu dha rasti të piqem e të vlerësojë disa vjershëtorë, shkrimtarë, artistë dhe muzikantë”, kishte thënë Kodra atë kohë.