Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

A do të shënojë fundi i shkurtit, fillimin e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi?

NULL NULL
nga Njomza Pllana 24.02.2023 16:03

Të hënën e 27 shkurtit, vëmendja e opinionit vendor e ndërkombëtar do të zhvendoset në Bruksel në pritje të “tymit të bardhë” pas përfundimit të takimit të radhës që pritet të zhvillohet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ky takim për herë të parë do t’i kushtohet propozimit të Bashkimit Evropian me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Klankosova.tv.

Tri ditë para këtij takimi, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë përcjellë mesazhet e tyre për të dy palët teksa shprehen optimistë se të hënën do të arrihet marrëveshje mes palëve.

Shtetet e Bashkuara thanë se mbështesin fuqishëm propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se ky propozim synon njohjen reciproke.

“Ne presim që të dy liderët t’i qasen takimit në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të”.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen me shkrim të DASH-it për VOA.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë ditës së djeshme, ekskluzivisht për Klan Kosova tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut dhe se kjo përfshin edhe përparimin drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne mbështesim fuqimisht propozimin e BE-së që është në tryezë. Pritshmëria jonë është që të dy liderët ta çojnë përpara këtë propozim në takimin e tyre të ardhshëm”.

“Nëpërmjet dialogut, Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara duhet të përqendrohen në njohjen eventuale reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e Integrimit Evropian dhe është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Hovenier për Klan Kosova.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, takimin e së hënës e konsideron si mundësi unike për marrëveshje normalizimi.

“Unë do t’i pres të dyja palët në Bruksel javën e ardhshme dhe shpresoj që ata të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi unike”.

“Dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve është në një moment vendimtar. BE-ja u ka paraqitur palëve një propozim që do ta vendosë procesin e normalizimit në një rrugë solide dhe largpamëse”, shkroi Borrelli në Twitter.

Nga ana tjetër, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se shpreson që plani të pranohet të hënën nga të dy palët dhe se i njëjti do të bëhet obligativ.

“Plani, të cilin besoj që do ta pranojmë të hënën do të bëhet obligativ për të dyja palët. Nuk është një marrëveshje e përkohshme, pas saj do të vazhdojë procesi i normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve, i cili duhet të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, para hyrjes së Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka thënë Lajçaku në një intervistë për Tanjug, përcjell Klankosova.tv.

Sipas tij, të dy palët do të vendosin se si do të zbatohet Asociacioni përmes marrëveshjes brenda dialogut.

“Prandaj, duhet të fillojmë këtë dialog dhe duhet ta përmend se edhe Kosova edhe Serbia kanë të drejtat dhe mundësitë e njëjta në dialog, në pikat e marrëveshjes dhe këto mundësi duhet t’i shfrytëzojnë të dy palët”, ka thënë Lajçak.

Njohësi i integrimeve evropiane, Bekim Çollaku, në një prononcim për Klankosova.tv tha se nuk ka të panjohura rreth pritjeve nga takimi i së hënës teksa personalisht pret që të hënën të nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk ka shumë të panjohura sa i përket pritjeve nga takimi i së hënës në Bruksel. Kjo për faktin se Kurti dhe Vuçiq e kanë bërë të qartë se e kanë pranuar planin franko-gjerman, respektivisht marrëveshjen e radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Pra, të hënën mund të pritet pak aktrim dhe dramë ndërmjet negociatorëve, mirëpo pritja reale është nënshkrimi i kësaj marrëveshje. Marrëveshja në tavolinë nuk është merre ose leje, por vetëm pranoje”, u shpreh Çollaku.

Çollaku, mes tjerash thotë se në rast të dështimit të kësaj marrëveshjeje do të ketë pasoja për palën përgjegjëse.

“Nuk besoj se mund të ketë mospajtueshmëri mes palëve në këtë fazë. Plani franko-gjerman pritet të pranohet dhe marrëveshja të nënshkruhet. Dilema dhe polemika mund të ndodhin lidhur me planin zbatues të kësaj marrëveshjeje që do të duhej të ishte si aneks i kësaj marrëveshjeje. Në rast eventual të dështimit të kësaj marrëveshje, pala përgjegjëse për dështim do ballafaqohet me pasoja politike dhe ekonomike të cilat nuk janë bërë publike ende”, tha Çollaku.

Për këtë çështje, të enjten në Kuvend ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se propozimi franko-gjerman është dizajnuar nga aleatët perëndimorë që përbrenda ka njohjen de-facto.

Kurti deklaroi se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit, por ka të bëjë me historikun prej më shumë se një dekade të dialogut të zhvilluar në Bruksel.

“Dhe nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve, nuk është që unë kam kërkuar diçka e është në atë propozim ose pala tjetër. Aleatët e Republikës së Kosovës e kanë dizajnuar pra si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe i cili përmban njohjen ‘de fakto’ e gjithë kjo e bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën një Kushtetutë të sistemit ndërkombëtarë pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet ndërmjet shteteve të pavarura”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se do t’i përmbahet vijave të kuqe për çështjen e Kosovës në takimin e së hënës në Bruksel me Kurtin.

Vuçiq lidhur me paralajmërimet e BE-së se pritet një lloj pranimi i propozimit franko-gjerman, deklaroi se do të ketë net të vështira.

“Gjithçka që kam thënë në Kuvend dhe e kuptoj shqetësimin tuaj dhe na presin shumë net të vështira, është se Serbia do t’i përmbahet asaj që thash në Kuvendin Kombëtar – pa marrë parasysh çfarë do të jetë dhe si do të jetë”, tha Vuçiq.

Të hënën e 27 shkurtit, kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Kurti dhe Vuçiq, pritet të zhvillojnë takime të ndara me Borrellin para se të hyjnë në një takim të përbashkët.

Ky do të jetë takimi i parë Kurti-Vuçiq nga 18 gushti i vitit të kaluar./Klankosova.tv

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.