A do të jetë takimi i 2 shtatorit "i treti, i vërteti”?

A do të jetë takimi i 2 shtatorit “i treti, i vërteti”?

2 muaj më parë

I përzgjedhuri i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se më 2 shtator do të takohen liderët e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë takim negociatash pritet të marrë pjesë Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq; ndërsa nikoqirë do të jenë Richard Grenell dhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, shkruan Klan Kosova.

Kujtojmë se një takim i tillë ishte planifikuar të zhvillohet me datë 27 qershor; mirëpo i njëjti u anulua pasi Presidentit Hashim Thaçi iu publikua propozim-aktakuza nga ana e Prokurorisë Speciale me seli në Hagë.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ishte ftuar të merrte pjesë në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në një konfirmim nga Zyra e Presidentit.

Ndërsa me 2 mars të këtij viti, Thaçi është takuar me Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë, të cilin takim e ka cilësuar si kthesë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Takimi i Uashingtonit është mesazh i një rëndësie të veçantë për dy shtetet tona dhe popujt tanë, por theksoj se edhe për tërë Ballkanin Perëndimor për paqe dhe stabilitet, natyrisht se SHBA-të do të vazhdojnë të jenë të fokusuara dhe me agjendë të qartë”, pati deklaruar Thaçi për Klan Kosova.

Ndërsa Grenell më parë ka theksuar se integrimi i Kosovës dhe Serbisë në Evropë arrihet përmes normalizimit ekonomik.

Me ndërmjetësimin e tij, në pranverë të këtij viti, janë nënshkruar dy marrëveshje që lehtësojnë çështjen e transportit ndërmjet dy vendeve.

Tani pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, mbetet të shihet nëse ky takim “i treti, i vërteti” ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Shtëpinë e Bardhë do të rezultojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Për t’u informuar më shumë rreth marrëveshjes Izrael –Emirate, klikoni në linkun e mëposhtëm.

Pas Izrael-Emirate, a do ta bëjë SHBA edhe marrëveshjen Kosovë-Serbi më 2 shtator?

klankosova.tv