Detyrat e shtëpisë të Otto von Bismarck 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 20.06.2025 09:20 20.06.2025 09:20 Blerim Shala Kancelarit të madh gjerman, Otto von Bismarck, i atribuohen fjalët që përsëriten shpesh në politikë, së paku në këtë anën perëndimore të saj, edhe pse shpeshherë ato nuk kuptohen si duhet dhe sa duhet. Pra, Bismarck, në përpjekjen e tij për ta definuar politikën si dukuri vendimtare (realisht), në organizimin e një shoqërie, ka thënë: ‘Politika është arti i të mundshmes, i të arritshmes — arti i të ardhshmes më të mirë.’ Në këtë formulim të shkurtër por shumë domethënës dhe edhe më të saktë, faktikisht shfaqet e vërteta e plotë për politikën. Politika nuk është shkencë. Por ajo nuk mund të mos bazohet në shkencë. Politika nuk mund të ketë përllogaritje të saktë të denjë për matematikë. Por politika nuk mund të bëhet pa u bazuar në hesape të shumta të cilat janë sot të mundshme edhe falë teknologjisë së jashtëzakonshme. Politika, në një vend a shtet të vetëm, apo në rrethanat ndërkombëtare, apo, thënë më mirë politikanët dhe diplomatët, sfidohen goxha shpesh me këtë definicionin e Bismarck-ut, veçmas kur kanë të bëjnë me vendime të cilat në një mënyrë apo tjetrën mund ta ndryshojnë kahen politike dhe historike të një vendi, apo të Rendit ndërkombëtar. Çka është e mundshme në një rast, në një rrethanë, mund të mos jetë e mundshme pak më vonë, apo kur rrethanat ndryshojnë shumë. Teksa gjithmonë çështja çka është e mundshme, nuk mund dot të përcaktohet dhe të definohet me saktësi të madhe në politikë, sepse pos atyre të ‘panjohurave të njohura’, siç pati deklaruar Donald Rumsfeld, Sekretari i Mbrojtjes në Administratën e Parë të Presidentit amerikan George W. Bush, ka edhe ‘të panjohura të panjohura’. Pra, thuaja çdo vendim i rëndësishëm politik përcillet, në këtë aspekt, apo, në kontekstin e definicionit të politikës nga kancelari namëmadh gjerman, nga një risk, madhësia e të cilit është reflektim i drejtpërdrejt i aftësisë vlerësuese/ analitike dhe organizative të një shteti, të një skene politike. Shembull i mirë këtu vjen nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur në muajin shkurt të vitit 2022. Pushteti i pakufishëm i Presidentit rus Vladimir Putin, nuk kishte vullnet dhe nuk kishte aftësi (pos tjerash, për shkak të karakterit autoritar të tij, në autoritarizëm secili druan nga thënia e të vërtetës para krye pushtetarit), që t’i bëj as llogaritë më bazike të asaj çfarë në të vërtetë është e mundshme në fushëbetejat e Ukrainës. Dora në zemër, as Amerika dhe Evropa nuk patën momente të ndritshme në rastin e Ukrainës. Në llogaritë e tyre, ’e mundshmja’ në rastin e Ukrainës dhe të rezistencës ushtarake të Kijevit, ka pasur afatin kohor prej pak ditësh, ose disa javësh në variantin më të mirë. Doli më pas që as Rusia dhe as Perëndimi nuk i kanë bërë si duhet ’detyrat e shtëpisë’ të cilat i ka parashtruar para tyre Otto von Bismarck. Natyrisht, tani, tre vjet e pak më shumë që prej se po luftohet në Ukrainë (besa edhe në Rusi, kur të merren parasysh të gjitha depërtimet e forcave ukrainase brenda territorit të Rusisë), kur e mundshmja, në këtë segmentin ushtarak, është fare e qartë (asnjëra palë nuk mund dot të arrijë fitoren në bazë të caqeve të përcaktuara qysh në fillim të luftës), çfarë mbetet për tu parë dhe për tu kuptuar është e mundshmja në aspektin politik dhe diplomatik. Ajo, në rrethanat e tanishme është tej mase e ndërlikuar, sepse nëse për ta nisur luftën është dashtë vetëm Rusia e Vladimir Putinit, (me të gjitha përllogaritjet dhe hamendësimet e gabuara të Kremlinit), për ta ndalur këtë luftë dhe për ta arritur pastaj një Marrëveshje të mirëfilltë paqësore, duhen të përfshihen shumë faktorë, para se të gjithash vet Rusia dhe Ukraina, Administrata e Presidentit Trump dhe Bashkimi Evropian, duke mos harruar këtu edhe faktorin kinez. Paqja në Ukrainë vetëm pak muaj më parë dukej lehtë e arritshme, apo, fare e mundshme. Tash po del që duhet bërë sërish të gjitha llogaritë e mundshme ushtarake, politike dhe diplomatike nga të gjithë faktorët relevantë për t’i hapur udhë Marrëveshjes e cila do të duhej ta mbyllte një herë e mirë kontestin historik në mes të këtyre dy shteteve. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.