Liderë partiakë dhe analistë: secili kundër secilit 123 string(15) "Muhamet Mustafa" string(64) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/02/mustafa_bio.jpg" nga Muhamet Mustafa 14.06.2025 08:56 14.06.2025 08:56 Profesori i Ekonomisë, Muhamet Mustafa. Foto: Muhamet Mustafa / Fb (KU E KA FUNDIN KJO LOJË E PAPËRGJEGJSHME (30+1)? Derisa për çdo 48 orë, për të 31 herë po shohim kurthimin e qëllimshëm procedural në tentimet farsë për konstituimin e Kuvendit, nuk po shihet një pikë takimi, nuk shihet konvergjimi i forcave politike tek një zgjidhje. Ajo që po shohim është një farsë e mbuluar me kontestime procedurale, po në realitet e ushqyer nga lufta sa primitive aq edhe egoiste për të vazhduar më tutje me një proces që po devalvon edhe zgjedhjet që u vlerësuan të mira dhe korrekte. Duket se rezultatet e zgjedhjeve prodhuan zhgënjim për politikën që solli tek ky kurth. Ka katër muaj që pas seancave të dështuara për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit po shohim deklarata të përfaqësuesve të partive dhe thuaja për çdo natë, në TV me frekuenca nacionale, debate për këtë situatë. Dhe vija e përgjithshme e deklarimeve të politikanëve dhe opinonistëve në TV, me ca përjashtime, është se ato nuk shkojnë kah krijimi i një atmosfere të uljes së konfrontimit dhe ndihmës për të ardhë te një pikëtakim që do të mund të ishte zgjidhje. Për më keq, shumica e prononcimeve po i fryjnë më shumë konfrontimit dhe ushqimit të kësaj status-quoje me elemente groteske, por edhe tejet të dëmshme për vendin tonë në të dy rrafshet – për pozitën ndërkombëtare të vendit dhe për shumë probleme që po përkeqësojnë pozitën e brendshme ekonomike e sociale dhe politike në vend. Dy institucionet që për nga funksioni i tyre do të duhej të sillnin më shumë racionalitet dhe zgjidhje – Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese, do të duhej të kenë parasysh urgjencën dhe të jepnin kontributin e tyre më shpejt dhe më efektivisht. Edhe kur dikush del me propozime që do të mund të lëviznin kah tejkalimi i ngërçit të orkestruar (si p.sh. ndryshimi i kandidates, qeveria gjithëpërfshirëse për një afat kalimtar), fillon debati në stilin “secili kundër secilit”, debati që nuk ofron asnjë zgjidhje por që të shumtën atakon dhe komprometon çdo zgjidhje të mundshme. Opinioni dhe intelektualët po bëjnë seri (përjashtuar tentimet e disa individëve). Shprehet një brengë në stilin “keq, shumë keq, u bëmë horë, por kjo është punë e partive politike”! Por, partitë politike kanë vënë zap deputetët që duket se mund të “kenë mendime të tyre (eventualisht) dhe ndërgjegje, por që nuk pajtohen me to”. Presioni i krijuesve të opinionit – politikanëve të përgjegjshëm, qarqeve akademike, intelektualëve, shoqërisë civile dhe mediave duhet të përqendrohet tek krijimi i një mase kritike për solucione që janë reale dhe të zbatueshme. Pse duhet të mbahet peng zgjidhja? Kujt t’i lejohet ky marifet? Një kandidat që mund të jetë i mirë për nga aspekti partiak, por që nuk merr vota, mund të ndërrohet dhe të fillojë procedura kushtetuese dhe sipas rregullores së Kuvendit. Një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare (pa asnjërin nga liderët në krye të saj), që në ndarje të portfoleve do të pasqyron rezultatin zgjedhor, me një kryeministër konsensual, me prioritete të ngushta që reflektojnë një konsensus të arritshëm nga partitë parlamentare, pse do të ishte herezi. Dikush tha se ne i kemi tejkaluar këto faza, por jo nuk i paskemi tejkaluar! Aranzhmane të tilla, të përkohshme, në mungesë të zgjidhjeve tjera, kur është vështirë të krijohet një shumicë parlamentare, kanë zbatuar edhe demokraci të pjekura. Dikush nuk do të hyjë në atë qeveri? E pra, presioni publik do duhej të përqendrohej te ai. Askush nuk e ka të drejtën që ta mbajë peng vendin pa institucionin kryesor me funksion legjislativ dhe mbikëqyrës! Askush nuk mund të krijojë situata të mjegulluara në aspektin e legjitimitetit që shpijnë në anarki. Ky do të ishte një hap tejet mbrapa në rrugën e shtetndërtimit, pjekurisë institucionale dhe pozitës ndërkombëtare të vendit dhe atë në vitin e 26 të çlirimit dhe të 17-tin pas pavarësisë! *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.