3 ‘kokat’ e ushtrisë së Teheranit që u vranë nga sulmet e Izraelit NULL NULL 13.06.2025 12:48 13.06.2025 12:48 Getty Images: Hossein Salami, Ali Shamkhani dhe Mohammad Bagheri Oficeri më i lartë ushtarak i Iranit, drejtuesi i Gardës Revolucionare elitare dhe një ish-shef i sigurisë kombëtare janë vrarë gjatë operacionit të paprecedentë të Izraelit, të quajtur “Luanët e Ngjallur”. Kush janë 3 ‘kokat’ që u vranë nga Izraeli? Hossein Salami Si komandant i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), një trupë ushtarake shumë e fuqishme dhe sekrete, Gjeneralmajor Hossein Salami ishte një nga njerëzit më të fuqishëm në Iran, duke raportuar drejtpërdrejt te Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei. I lindur në vitin 1960, sipas një dokumenti sanksionesh të SHBA, Salami ishte në krye të IRGC-së që nga viti 2019. Në këtë rol, ai drejtonte një nga armët më të fuqishme të shtetit iranian, e cila ka luajtur rol kyç në shtypjen e protestave të brendshme dhe në zgjerimin e ndikimit iranian jashtë vendit. Analistët thonë se IRGC financon dhe mbështet një rrjet të gjerë në rajon që përdoren për të sulmuar trupat amerikane dhe të tjera në Lindjen e Mesme. IRGC besohet gjithashtu të ofrojë pajisje dhe ndihmë për rebelët Houthi në Jemen, duke i mundësuar ata të sulmojnë anije ndërkombëtare në Detin e Kuq dhe të lëshojnë raketa e drone drejt Izraelit. Salami ishte në komandë kur Irani nisi qindra drone dhe raketa drejt Izraelit në prill dhe tetor të vitit të kaluar, në sulmet e para direkte nga Irani në territorin izraelit. Në pamjet e publikuara nga media shtetërore iraniane në janar, ai shihej duke inspektuar një strukturë ushtarake nëntokësore që, sipas mediave, kishte luajtur rol në këto sulme. I veshur me uniformë të gjelbër ushtarake dhe mjekër të shkurtër, Salami merrte përshëndetjet nga ushtarët në kompleksin nëntokësor dhe ecte mbi flamujt e SHBA-së dhe Izraelit të vendosur në tokë. Mediat iraniane gjysmë zyrtare raportuan se në këtë vend po prodhoheshin “raketa të reja speciale”. Salami ishte komandant kur IRGC rrëzoi një avion pasagjerësh ukrainas pak pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar i Teheranit, duke vrarë të 176 njerëzit në bord. Analistja e sigurisë e CNN, Beth Sanner, tha se eliminimi i Salamit është e krahasueshme me vrasjen e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane: “Mund ta imagjinoni se çfarë do të bënin amerikanët,” tha ajo. Mohammad Bagheri Që nga viti 2016, Mohammad Bagheri shërbente si shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, e cila thuhet se përbëhet nga më shumë se 500,000 trupa aktive. Sipas një dokumenti të Thesarit Amerikan mbi sanksionet kundër tij në vitin 2019, Stafi i Përgjithshëm është “organi më i lartë ushtarak në Iran, që zbaton politika dhe koordinon veprimet e forcave të armatosura”. Bagheri u sanksionua së bashku me nëntë persona të tjerë pranë Ajatollah Khameneit “të cilët për dekada kanë shtypur popullin iranian, kanë eksportuar terrorizëm dhe kanë përhapur politika destabilizuese në mbarë botën.” Foto të publikuara nga agjencia iraniane Tasnim e tregonin atë gjatë një vizite të supozuar në Siri në vitin 2017, duke u takuar me trupa iraniane që luftonin krah forcave qeveritare. Në prill të këtij viti, Bagheri u takua në Teheran me Ministrin saudit të Mbrojtjes, Princ Khalid bin Salman Al Saud, në një vizitë të rrallë nga një anëtar i lartë i familjes mbretërore saudite në Republikën Islamike. Reuters raportoi se gjatë këtij takimi, ministri saudit e paralajmëroi Bagherin që ta merrte seriozisht ofertën e Presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje bërthamore, si mënyrë për të shmangur luftën me Izraelin, transmeton Klankosova.tv. Ali Shamkhani Ali Shamkhani ishte një nga ndihmësit më të afërt të Ajatollah Khameneit dhe përfaqësoi Teheranin në bisedimet që çuan në marrëveshjen historike për rikthimin e marrëdhënieve diplomatike me Arabinë Saudite. Televizioni shtetëror iranian IRINN konfirmoi vdekjen e tij pas sulmeve izraelite të premten. Shamkhani shërbeu si shef i sigurisë kombëtare të Iranit për dhjetë vjet nga viti 2013, dhe më herët mbajti pozita të rëndësishme në Gardën Revolucionare dhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai përfaqësoi Iranin në bisedimet e ndërmjetësuara nga Kina me zyrtarët sauditë, të cilat çuan në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve pas viteve të armiqësisë. Megjithatë, ai u zëvendësua papritur në mes të vitit 2023. Po ashtu kandidoi për president në vitin 2001 dhe mbajti poste kyçe në IRGC dhe në ministrinë e mbrojtjes. Disa analistë sugjeruan se Ajatollah Khamenei mund ta kishte konsideruar atë si tepër ambicioz. Megjithatë, ai mbeti këshilltar i afërt i liderit suprem dhe dha këshilla gjatë bisedimeve bërthamore me administratën e Presidentit Trump. Në prill, pak ditë para rifillimit të bisedimeve me SHBA-në, ai paralajmëroi se Irani mund të dëbojë inspektorët bërthamorë të OKB-së dhe të ndalë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) nëse ndjehej i kërcënuar, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.