Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Demokracia dhe zgjedhjet

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 08.02.2025 15:36
Blerim Shala
Blerim Shala

Në demokraci, kudo, edhe në Kosovë (natyrisht), qytetarët heshtin për katër vjet, apo edhe më pak, varësisht se kur ndodhin votimet.
Këta flasin, zëshëm, pa thënë asgjë në fakt, në ato dymbëdhjetë orët e zgjedhjeve, përmes fletëve të votimit.
Vullneti i tyre, në ditën e votimit, në këto dymbëdhjetë orë, është absolut, nëse kemi të bëjmë me zgjedhje të lira dhe demokratike.

Prej këtij vullneti buron pushteti në demokraci. Prej tij, dhe askujt tjetër.
Midis dy palë zgjedhjeve, për qytetarët dhe në emër të tyre flasin: Qeveria (e zgjedhur prej tyre), opozita (po ashtu e klasifikuar si e tillë prej tyre), mediat, shoqëria civile, organizatat e shumta.

Nuk është që këta (qytetarët), e mbyllin krejt gojën. Natyrisht, politika (si e tillë), është përherë e pranishme në jetën e tyre të përditshme. Për të flitet në familje, në punë, në rrugë, në kafene. Kudo. Madje, qytetarët mund edhe të mblidhen dhe të protestojnë, kur brenda tyre grumbullohet një pakënaqësi e madhe. Ata, në këtë rast, duan që ndryshimet në jetën e tyre të ndodhin më shpejt. Ose, ata, në këtë mënyrë, shfaqen të pakënaqur me drejtimin që ka marrë një shoqëri, një shtet.

Ama fjala e tyre është vendimtare, realisht, vetëm në ditën e votimeve. Edhe ata, madje, të cilët refuzojnë të votojnë, për njëqind e një arsye, nuk kanë tjetër variant apo tjetër mundësi, pos t’i nënshtrohen dhe ta respektojnë pushtetin e ri të dalë nga vullneti i atyre që kanë shkuar në qendrat e votimit dhe me një votë kanë treguar se çka mendojnë për mandatin e ardhshëm qeverisës.

Kjo është një votë e vetme, e secilit qytetar, e cila është anonime. Kështu e kërkon demokracia.
Teksa po të njëjtën ditë, në mbrëmje, votë pas vote (anonime), ndodhë bashkimi i vullnetit të gjithëve (që kanë votuar) i cili është publik, me numër, me përqindje, me mandate parlamentare, me udhërrëfyes për krijimin e Qeverisë së re.

Kështu e thotë demokracia.

Fushatat parazgjedhore janë fushata. Nuk mund dot të pritet askund në demokraci (dhe as në Kosovë), që politikanët që marrin pjesë në zgjedhje, të jetë të matur, të kujdesshëm, racional.

Në fushatë sekush përpiqet t’i bind qytetarët pse duhet votuar ata, dhe jo aspiruesit e tjerë në zgjedhje.
Këtu flet edhe historia, e kaluara, e tashmja, por mbi të gjitha: E ardhmja.
Votat nuk mund dot ta rishkruajnë të kaluarën. Por ato mund ta përcaktojnë të ardhmen, e cila në demokraci ka kornizën kohore afatmesme.
Legjitimiteti i pushtetit të fituar është afatmesëm. Kjo dihet.
Legaliteti në një shtet është afatgjatë. Por edhe ai mund të ndryshohet, me procedurat e paracaktuara në Kushtetutë dhe në legjislacion.
I përhershëm është dhe duhet të jetë vetëm shteti.

Të gjitha të tjerat mund të ndryshohen, gjithnjë në respektim të procedurave dhe në përbashkim të vullneteve të politikanëve dhe të partive të tyre.

Ajo maturia e munguar (natyrshëm), në fushatën parazgjedhore, duhet të kthehet menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, në mbrëmjen e ditës së votimit.
Qytetarët pra kanë folur për dymbëdhjetë orë, dhe politikanët duhet të dëgjojnë me kujdes se si është shpërndarë vota e tyre: ndër subjekte, parti dhe koalicione.

Nuk ka tjetër: Ky vullnet dhe ky zë duhet të respektohet, për të vijuar pastaj me krijimin e pushtetit të ri qendror.

Nuk ka dyshim që Kosova e cila një herë u çlirua (në vitin 1999), pastaj u bë shoqëri demokratike dhe shtet i tillë (në vitin 2008), ka një përvojë të mirë në ushtrimin e të drejtës së votës dhe në procesin e bërjes së pushtetit në nivelin lokal dhe në atë qendror.

Për më shumë, me plotë të drejtë mund të thuhet që Kosova është shembull për të gjitha shtetet përreth saj se si bëhet kjo punë.
Kosova është shteti dhe shoqëria më demokratike në këto anë të Evropës.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme