Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Sunduesi i Serbisë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 18.12.2023 14:06
Blerim-Shala

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, të mbajtura të dielen, me 17 dhjetor, sollën rezultate fare të zakonshme në skenën politike të këtij shteti.

Koalicioni parazgjedhor i titulluar ‘Serbia nuk guxon të ndalet’  (‘Srbija ne sme da stane’), i udhëhequr nga Presidenti i këtij shteti, Aleksandar Vuçiq, i cili në këtë mënyrë e nëpërkëmbi Kushtetutën e Serbisë  (sepse si President ai është përfaqësues i të gjithë qytetarëve të saj), ka dalë fitues absolute e këtyre zgjedhjeve, duke marrë së paku 127, 128 mandate në Kuvendin e përbërë prej 250 ulëseve.

Vuçiq, në këtë mënyrë ka siguruar një pushtet prej autokrati edhe katër vjet të tjera, duke u bërë kështu, lideri më jetëgjatë në historinë e Serbisë.

Ai fillikat vet mund ta formojë Qeverinë e re të Serbisë.

Në vendin e dytë në këto votime në të cilat morën pjesë gati 60% të qytetarëve, u gjet Koalicioni i vetëm opozitar i mirëfilltë, i emërtuar ’Serbia kundër dhunës’  (’Serbija protiv nasilja’), që është një përzierje e partive dhe entiteteve të ndryshme, nga e djathta dhe e majta, teksa ky koalicion realisht, nuk ka perspektivë të mbijetesës.

Herët a vonë do të shkapërderdhet.

Përshkrimi i vetëm real që i shkon për shtati, apo, e zë thelbin a mënyrën se si Vuçiq udhëheq me Serbinë, është ai i cili i ikë kualfikimeve klasike çfarë janë, ta zëmë, President, lider, prijës, udhëheqës.

Vuçiq, në fakt është sundues i Serbisë.

Ai vendos për të gjithat në këtë shtet, jo vetëm për temat madhore të një shteti  (në rastin e Serbisë, kjo është detyrë dhe mandat e Qeverisë së saj), por edhe për imtësitë më të vogëla politike dhe ekonomike.

Vuçiq ka mësuar nga gabimet e pararendësit të tij në këtë aspekt, apo, të Slobodan Milosheviqit.

Ai ka kontroll të hekurt mbi shërbimet e zbulimit të Serbisë, mbi Ushtrinë e Serbisë, dhe në këtë kontekst, ai të kujton Vladimir Putinin.

Në anën tjetër, ai poashtu është politikani kryesor kur bëhet fjalë për mbikëqyrjen e të gjitha proceseve ekonomike, ai kontrollon paranë publike dhe në masë të madhe edhe atë private, dhe këtu, ai i ngjanë shumë Viktor Orbanit, Kryeministrit të Hungarisë.

Vuçiq poashtu është një propagandist i papueshueshëm, dhe këtu, realisht ai është në i pranishëm në mediat serbe, se sa Putin dhe Orban së bashku në mediat e tyre.

Sundimi i tij nisë dhe sosë me praninë e tij të çdoditshme në media.

Vuçiq është natyrisht, edhe autori apo prodhuesi kryesor i naracionit politik dhe historik të Serbisë në dhjetë vitet e fundit, i cili në të vërtetë, është reflektim goxha i besueshëm i historisë së re të Serbisë, prej viteve tetëdhjeta e këndej.

Ai vazhdimisht përsërit që Serbisë i janë bërë padrejtësi të mëdha nga ana e Perëndimit, që Kosova i është marrë me dhunë Beogradit, që Rusia është mike e sinqertë e popullit rus, që partneriteti dhe miqësia me Kinën është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Serbisë, etj. etj.

Po ky Vuçiq pastaj deklaron që mbijetesa ekonomike e Serbisë varet nga paratë dhe imvestimet që vijnë nga Perëndimi dhe që prandaj, Serbia duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Sunduesi i Serbisë në anën tjetër, vazhdon t’i mbajë gjallë idetë për bashkimin e serbëve në një shtet të vetëm. Kjo u pa edhe natën e mbrëmshme, kur gjatë festimit të fitores në zgjedhje, aty pranë u gjetën edhe Milorad Dodik, Presidenti i Republikës Serbe, dhe Andrija Mandić, Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi.

Vuçiq i jep vetes të drejtë të flet në emër të gjithë serbëve, kudo që janë.

Këtu do të mund të shtoheshin edhe shumë detale të tjera të cilat kanë të bëjnë me personalitetin e sunduesit të Serbisë. Ato, megjithatë, nuk do të ndryshonin gjë në këtë përshkrim të një politikani, i cili ka zaptuar fatin e një shteti, teksa me dëshirë të madhe do ta bënte të njejtën gjë me shtetet përreth tij.

Të gjitha këto shtete fqinje të Serbisë, veçanërisht Kosovën, e pret një tjetër periudhë me tensione, telashe dhe probleme të lloj-llojshme.

Dialogu në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, do të duhej, siç dihet prej të gjithëve, të normalizojë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por diçka e tillë duket se është e pamundur me një politikan çfarë është Aleksandar Vuçiq.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme