Përvjetorët e një historie të fabrikuar 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 05.08.2023 15:55 05.08.2023 15:55 Blerim Shala Këtu janë vrarë, në fillim të luftës (në Bosnjë dhe Hercegovinë), tre mijë boshnjakë dhe kroatë, në mesin e tyre edhe 102 fëmijë. Bëhet fjalë për qytetin e Prijedorit, në Bosnjë dhe Hercegovinë. Këtu, të premten, me 4 gusht, pikërisht në Prijedor, u mbajt ceremonia komemorative e përvjetorit të Operacionit ‘Oluja’ të Armatës së Kriacisë (në vitin 1995), e organizuar nga udhëheqësia e Serbisë dhe të Republika Srpska-s, e prirë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić dhe Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik. Pamjet vizuele ishin shumë të qarta: Vučić ishte i rrethuar nga të katër anët me zyrtarët e lartë të këtij entiteti të Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët që të gjithë, pak ditë më parë, u gjetën në Listën e sanksioneve të Administratës aktuale amerikane, për rolin që kanë në rrezikimin e këtij shteti dhe në kundërshtimin e Marrëveshjes së Daytonit. Për më shumë, Presidenti i Serbisë pohoi që ky fakt (që të gjithë liderët institucional të Republika Srpska janë në ‘Listën e Zezë’ të SHBA-së), nuk do ta ndalë ate të ketë raporte shumë të afërta me të gjithë ata, para se të gjithash, me Milorad Dodikun. Në këtë mënyrë, objektivisht, kjo ceremoni, e mbajtur në Prijedor, doli të jetë një lloj i përgjigjes së përbashkët e politikës zyrtare serbe, ndaj politikës së tashme të Washingtonit zyrtar. Këtu ia vlenë të rikujtohet që disa javë më parë, Aleksandar Vulin, Shefi i BIA-s (Shërbimit inteligjent të Serbisë), u bë pjesë e kësaj Liste amerikane të sanksioneve. Në anën tjetër, pos që politika aktuale serbe në këtë mënyrë, në Prijedor, u shfaq fare transparente në kundërshtimin e vlerësimeve të instancave më të larta të Amerikës, ajo, njëkohësisht, siç po bënë tash e disa vjet, po përpiqet ta fabrikojë të kaluarën historike të vitit 1995, megjithëse i gjithë rajoni dhe mbarë Evropa e di fare mirë se çfarë i kishte paraprirë këtij operacioni ushtarak të Kroacisë, me të cilin u çrrënjos rebelimi pesëvjeçarë në shumë pjesë të këtij shteti. Ky interpretim i Beogradit zyrtar, ndërtohet mbi një harresë të plotë të origjinës së luftës (dhe të autorëve të tragjedisë), dhe në një ‘super-kujtesë’ të viktimave civile serbe (s’ka dyshim që viktima të tilla ka pasur). Në këtë mënyrë, instalohet një naracion historik por edhe politik i cili është krejtësisht i fabrikuar. Të njejtën qasje e ka Presidenti Vučić (dhe e gjithë ushëheqësia zyrtare serbe), edhe kur bëhet fjalë për Luftën në Kosovë, e cila mori fund me intervenimin e Aleancës Veri-Atlantike të pranverës së vitit 1999. Tash e sa vjet, Vučić dhe shteti i Serbisë, në çdo 24 mars shënojnë përvjetorin e fillimit të fushatës ajrore të Paktit NATO. Çdo ceremoni e kësisojt, njëlloj si në rastin e mëparmë (të shënimit të ditës së nismës së Operacionit ’Oluja’), përbëhet nga harresa e qëllimtë e të gjithë shkaktarëve që sollën këtë intervenim të Aleancës Veri-Atlantike (krimet e luftës në Kosovë, tragjeditë me refugjatë, refuzimi i Propozimit në Konferencën Paqësore të Rambouilletit), dhe tek ajo ’Super kujtesa’ e shfaqur si një naracion që spikatë pafajësinë historike dhe politike të Serbisë, e cila u godit nga të gjitha anët nga Perëndimi, në radhë të parë nga SHBA-ja. Në këtë mënyrë pra, me këtë qasje, realisht, ky lidership serb, jo vetëm që mohon një histori që tash e dhjetëra vjet është e ditur për të gjithë, por, për më shumë, përmes këtij mohimi kultivon tutje raporte tej mase problematike me Kosovën dhe Kroacinë, si dhe me kryeqendrat perëndimore. Nëse Serbisë dhe popullit serb në përgjithësi, si në vitin 1995 në Kroaci, ashtu edhe në vitin 1999 në Kosovë, i është bërë një padrejtësi e madhe historike dhe politike, atëherë, për udhëheqësinë e tanishme serbe, nuk ka mundësi të mirëfilltë për t’i krijuar marrëdhëniet e mira me Kosovën dhe Kroacinë. Në rastin e Kosovës, siç dihet tash e shumë vjet, kemi të bëjmë me një ndërmarrje ndërkombëtare që synon normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, me këto raporte krejtësisht të çrregulluara të Vučićit me historinë, vështirë që mund të ketë normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.