Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Transparenca e lojës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 19.11.2022 10:03
Blerim-Shala

Kthimi i ‘Listës Serbe’ në Kuvendin e Kosovës, me betimin e nëntë deputetëve të ri të këtij entiteti politik para disa ditësh, u duk fillimisht si një befasi, madje, për dikë, edhe si një shenjë e mirë që politikanët serbë do t’i dhënë fund opsionit të largimit nga institucionet lokale dhe qendrore. Me nëntë deputetë në Kuvendin e Kosovës, ‘Lista Serbe’ ka të drejtën edhe të nominimit të një ministri serb të komunitetit serb në Qeverinë e Kosovës.

Megjithatë, nuk vonoi dhe u kuptua se për çka bëhet fjalë në të vërtetë.

Kjo ‘Listë’, apo thënë më mirë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, autori dhe pronari politik i këtij subjekti politik, ndërmori këtë hap të papritur, në vijim të shenjave të qarta të politikanëve serbë të partive dhe koalicioneve të tjerë të Kosovës, ku u shfaq vullneti i tyre për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Bëhej fjalë për shtatë deputetë serbë, të cilët nuk kanë gjë të përbashkët me ’Listën Serbe’ dhe për më shumë, as me politikën zyrtare të Beogradit.

Siç ka zaptuar lirinë e shprehjes së vullnetit të votuesve serbë në Kosovë, duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat e mundshëm të joshjes dhe frikës, ’Lista Serbe’ zaptoi edhe ulëset apo mandatet në Kuvendin e Kosovës. Monopoli mbi përfaqësimin politik të komunitetit serb në institucionet e Kosovës duhet të ruhet me çdo kusht, me çdo çmim, vetëm e vetëm që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, t’i ketë serbët e Kosovës në ’çantën’ e tij diplomatike, në bisedimet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

E tëra pra është një lojë brutalisht e qartë e Presidentit të Serbisë, e cila nuk ka aspak të bëjë me mbrojtjen e interesave të komunitetit serb në Kosovë.

Kjo lojë u shfaq edhe në formë të mungesës së çfarëdo parimi apo konsistence politike të udhëheqësisë së Serbisë.

Dihet teksti i betimit të një deputeti të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dihet mirë pra, se për çka zotohet një deputet i këtij Kuvendi. Ai është në shërbim të Republikës së Kosovës, të tërësisë territiriale të këtij shteti, të sovranitetit të Kosovës.

Si është e mundur pra që teksa në njërën anë, ’Lista Serbe’ nuk e ka aspak problem që në një ceremoni të veçantë parlamentare të ofrojë një lojalitetit të mirëfilltë legal shtetit të Kosovës, e në anën tjetër, që në Veri të Kosovës të kundërshtojë me aq ngulm zëvëndësimin e targave ilegale (KM), me atë legale (RKS).

Nuk ka këtu kurfarë logjike.

Kjo çfarë ndodhi me deputetët e ’Listës Serbe’ këtë javë, është dëshmia më e mirë e mundshme që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, synon ta shfrytëzojë maksimalisht situatën e krijuar në Veriun e Kosovës me rezistencën ndaj masave dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për përfitimet e tij personale në bisedimet e Brukselit.

Nuk është punë targash. Kjo tani është e qartë për të gjithë.

Targat, si të tilla, realisht, pa kurfarë relevance legale (të gjithë pronarët e veturave me këto targa tash e sa kohë i kanë letërnjohtimet e Republikës së Kosovës, sepse pa to nuk mund të votojnë në zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme), janë shfrytëzuar në mënyrën maksimale nga Aleksandar Vučić për të bllokuar ecjen para të ndërmarrjes finale të BE- së (të përkrahur nga SHBA-ja), për të ndërmjetësuar në arritjen e Marrëveshjes bazike (siç po quhet tani), në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lideri serb nuk dëshiron fare Marrëveshje bazike me Kosovën. Ai e di që nuk ka përmbajtje të kësaj Marrëveshjeje, ciladoqoftë ajo, me kusht që propozohet nga BE dhe SHBA, që do të ishte e pranueshme për te.

Në mënyrë që disi t’i shmanget një epilogu të domosdoshëm, herët a vonë, apo, të nënshkrimit të Marrëveshjes së Serbisë me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, Presidenti i Serbisë do të mundohet që ta shfrytëzojë çdo rast të mundshëm, për ta shtyrë sa më shumë që është e mundur dialogun kryesor të autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, atë për definimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nuk ka pra këtu kurfarë sekreti, dhe as kurfarë ’mjeshtrie diplomatike’ të liderit serb.

Për këtë shkak, është interes jetik i Kosovës që sa më parë që është e mundur të hyhet në fazën e bisedimeve intenzive për bërjen e Marrëveshjes bazike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme