Kur do t’i marrim mësimet e duhura? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 25.08.2021 12:40 25.08.2021 12:40 Kosova e ditëve të kaluara u trondit me një tjetër vrasje që shkaktoi një shpërthim emocionesh në të katër anën e vendit. Kësaj here, reagimet ishin edhe më të shumta se rëndom, edhe më të mbushura pezm dhe mllef, sepse viktima ishte një vajzë tetëmbëdhjetëvjeçare. Vrasësi është zënë dhe tash ai do të përballet me drejtësinë. Do të hetohen, me siguri, siç edhe është paralajmëruar tashmë nga instancat më të larta qeveritare, të gjitha dështimet e deritashme në zingjirin e drejtësisë, sepse autori i këtij krimi të rëndë kishte ra ndesh me ligjin edhe në shumë raste të tjera më parë, teksa në fund, ka mbetur i lirë, në gjendje për ta bërë këtë vrasje. Nuk ka dyshim që ky segment i funksionimit të Sundimit të ligjit, i njohur tashmë ndër ne si kapitulli i Dhunës në familje, edhe në vijim të shembujve të ngjashëm nga e kaluara të cilët gjithashtu patën shkaktuar reagime të pezmatuara, duhet të rishikohet në tërësi: Si në funksionimin e tij, ashtu, nëse duhet, edhe në shqyrtimin e shkallës së penalizimit të këtyre krimeve. Çka pamë dhe dëgjuam ditëve të fundit, në shkallë vendi, në deklarimet e të gjithë politikanëve relevantë, në prononcimet e qytetarëve për televizionet tona, pastaj, në debatet në Rrjetet shoqërore, konfirmoi edhe një herë që niveli i ndjeshmërisë së opinionit kosovar në trajtimin e këtij rasti dhe të dhunës në familje, në përgjithësi, është i jashtëzakonshëm. Një mobilizim i këtillë, krejtësisht spontan, dëshmon që vëmendja e madhe për këtë çështje ekziston, që ajo tashmë ka një prioritet politik dhe mediatik, dhe që është poashtu temë e rrallë që ka një mbështetje konsensuale politike në vend. Krijimi i një atmosfere të këtillë tek qytetarët e Kosovës, është pra një arritje, një vlerë e cila pos që vet do të krijojë rrethana më të mira në gjithë shoqërinë kosovare, që rastet e kësisojta të mos shpëtojnë pa u ndëshkuar nga gjyqi, ka edhe atë aspektin edukativ tek të gjithë ne, që të jemi më të vëmendshëm në sjelljet tona në familje. Kjo atmosferë e një ndjeshmërie të lartë për këtë çështje, mund të jetë njëri prej burimeve të veçanta të ndryshimit të shoqërisë sonë në këtë aspektin qytetërues dhe kulturor. Megjithatë, këtu do të duhej bërë punë më të madhe nga të gjitha institucionet tona, qofshin ato politike dhe administrative, qofshin edhe kulturore dhe arsimore. Është bërë goxha punë, duhet të pranohet këtu, në promovimin e barazisë gjinore në Kosovë, veçmas përmes kuotave gjinore në Kuvendin e Kosovës, së fundit edhe në përbërjen e Qeverisë së Kosovës, teksa për herë të dytë në historinë 20 vjeçare të demokracisë parlamentare në nivelin qëndror, një femër është Presidente e Kosovës. Është punuar poashtu në vazhdimësi, viteve të fundit, në adresimin e të drejtës së pakontestueshme të femrës për të qenë trashëgimtare e pronës. Femrat po marrin rol gjithnjë e më të madh edhe në ndërmarrësi, ato janë pronare mediash, teksa arritjet e tyre në sport, në muzikë, në film (kulturë në përgjithësi), janë të jashtëzakonshme, apo, ato kanë bërë shumë që Bota ta merr vesh se çka është Kosova në të vërtetë. Kur të merren parasyshë të gjitha këto fakte, mund të konkludohet që shoqëria kosovare ka ndryshuar për të mirë në këtë raportin bazik gjinor dhe në promovimin e merituar të rolit të femrës në këtë shoqëri. Por ja që rastet si ky i fundit, të cilët nuk kanë si të mos shkaktojnë një vullkan mllefi tek të gjithë ne, bëjnë që të gjithë ne të zbrapsemi, disi të ndihemi përgjegjës që dhuna në familje vazhdon të jetë një kërcënim jo vetëm ligjor, por edhe politik, edhe moral edhe qytetërues për të gjithë ne. Këtë duhet ta kemi të qartë të gjithë ne. Prandaj, luftimi i kësaj dukurie kërkon një mobilizim të shtetit, por edhe të shoqërisë, të familjes, të shkollës, të institucioneve të kulturës. Të të gjithë neve. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.