Lajmet e fundit

Ndërsa ekspertët paralajmërojnë për pasojat e përdorimit të tepërt të ekraneve tek fëmijët, një nënë britanike ka zgjedhur një qasje krejt tjetër.
Britt Jones, 29 vjeçe, u lejon dy fëmijëve të saj, 4 dhe 6 vjeç, të përdorin pa kufizim iPad-in, televizorin dhe kompjuterin. Sipas saj, gjatë ditëve të shkollës fëmijët kalojnë rreth katër orë para ekraneve, ndërsa në fundjavë koha mund të arrijë deri në tetë orë, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Britt thotë se nuk shqetësohet nga udhëzimet që rekomandojnë kufizimin e kohës para ekranit, pasi beson se fëmijët e saj përfitojnë edhe në aspektin edukativ. Ajo tregon se monitoron përmbajtjet që shohin dhe u lejon të përdorin aplikacione me lojëra, puzzle, kafshë dhe materiale për mësim.
Megjithatë, studime të fundit kanë paralajmëruar se koha e tepërt para ekraneve në moshë të hershme mund të lidhet me probleme me gjumin, zhvillimin e gjuhës dhe më pak ndërveprim me prindërit.
Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Britt këmbëngul: “Nuk mendoj se ka ndonjë dëm në këtë”.