Lajmet e fundit

44 organizata të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për një marrëveshje ndërmjet partive parlamentare për zgjedhjen e Presidentit/es së Kosovës dhe shmangien e një tjetër krize institucionale.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat kërkojnë që partitë të angazhohen menjëherë për zgjedhjen e Presidentit/es deri më 6 tetor, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tyre, dështimi për të zgjedhur Presidentin/en do të sillte shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Pas krizave të përsëritura institucionale dhe cikleve të njëpasnjëshme zgjedhore, kjo do ta vendoste vendin përballë një tjetër ngërçi institucional”, thuhet në deklaratë, transmeton Klankosova.tv.
Organizatat vlerësojnë se një tjetër bllokadë do ta thellonte pasigurinë politike dhe do të ndikonte në funksionimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe besimin e qytetarëve.
Ato u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë gatishmëri për kompromis. Nga shumica parlamentare kërkojnë hapje ndaj kandidaturave që mund të sigurojnë mbështetje më të gjerë ndërpartiake, ndërsa nga partitë opozitare kërkojnë propozime konkrete dhe angazhim për një zgjidhje të realizueshme.
“Arritja e marrëveshjes për Presidentin/en kërkon kompromis të ndërsjellë”, theksojnë organizatat.
Në fund, shoqëria civile ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në këtë proces përmes lehtësimit të diskutimeve eventuale, duke kërkuar hapa konkretë për përfundimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit/es brenda afatit të përcaktuar.