Lajmet e fundit
29 vjet më parë, rrugët e Prishtinës u mbushën me studentë të veshur me këmisha të bardha, në një nga protestat më të rëndësishme studentore të historisë së Kosovës.
Në mesin e tyre ishte edhe Jeton Rexha, një nga organizatorët e protestës së 1 tetorit 1997.
Sot, 29 vjet më vonë, ai rikthen kujtimet e asaj dite, kur studentët u nisën drejt Velanisë, përballë kordoneve të policisë dhe forcave serbe.
Rexha thotë në emisionin “Ora 7”, se rrugëtimi drejt Velanisë ishte i vështirë, ndërsa momenti i përballjes me autoblindat dhe policinë serbe mbetet një nga kujtimet që, siç thotë ai, e emocionon edhe sot.
“Kur u ballafaquam me autoblindat, forcën policore të pushtuesit serb në Kosovë, aty ishte një heshtje e cila natyrisht që drithëronte. Lart dëgjohej helikopteri. Ajo përballje me të vërtetë nuk ishte e lehtë”, ka rrëfyer Rexha.
Studentët, sipas tij, ishin përgatitur të uleshin para forcave policore dhe të qëndronin aty, por protesta përfundoi me ndërhyrje brutale të policisë serbe.
“Ata menduan se na thyen atë ditë. Por, me të vërtetë, atë ditë jo që na thyen, por e nxitën edhe më shumë atë vrullin për liri dhe e bënë thyerjen e frikës karshi policisë në rrugët e Prishtinës”, është shprehur ai.
Rexha e cilëson atë ditë si një kthesë që hapi një kapitull të ri drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Ne ishim me këmisha të bardha dhe pasqyronim diçka tjetër. Ata ishin pjesa e zezë e asaj dite”, kujton ai, duke iu referuar përballjes së studentëve me forcat serbe./Klankosova.tv