25 vjet nga zgjedhjet e para parlamentare e presidenciale në Kosovë NULL NULL 24.05.2017 10:02 24.05.2017 10:02 Më 24 maj 1992 janë mbajtur zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Republikën e atëhershme të Kosovës. Këtë e thotë Muhamet Hamiti – ish këshilltari i ish Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, përmes një postimi në Facebook. Hamiti ka treguar se shumicën dërmuese në Kuvend e kishte fituar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndërsa udhëheqësi i saj Ibrahim Rugova u zgjodh President i vendit praktikisht me votë plebishitare popullore, transmeton Klan Kosova. “Rugova u bë lider i pranuar i Kosovës në marrëdhëniet e saj me botën”, ka shkruar ai. “Zgjedhjet u mbajtën në kohën e okupimit serb të Kosovës, në rrethana të jashtëzakonshme, por patën rëndësi të madhe për demokracinë dhe shtetndërtimin e Kosovës”, ka theksuar ai. Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Kosovës sipas tij vendosën në themele të shoqërisë e të shtetit tonë standardin e pakalueshëm: përfaqësues të popullit mund të bëhen vetëm ata që marrin besimin e tij në proces elektoral demokratik. “Këta përfaqësues, Qeveria e zgjedhur prej tyre, dhe kryetari i shtetit mund të qeverisin vetëm me pëlqimin e popullit që i ka zgjedhur”. “Presidenti Ibrahim Rugova, që fitoi edhe zgjedhjet presidenciale në Kosovë më 1998, u zgjodh dy herë President i Kosovës nga Kuvendi në zgjedhjet e pasluftës”, ka theksuar ai. Rugova e ka pas shpallur 24 majin Ditë të Presidentit në Kosovë. E kjo ditë ka thënë si se është festuar si Ditë e Presidentit edhe në kohën kur President i vendit ka qenë Fatmir Sejdiu, që u zgjodh në këtë detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës në fillim të vitit 2006.