Lajmet e fundit

Vëzhguesi i njohur i talenteve dhe ndërmjetësi i transferimeve, Michele Fratini, ka kërkuar publikisht që ylli i përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova, të ketë një rol dukshëm më të rëndësishëm dhe më shumë minuta në dispozicion te skuadra e Juventusit.
Gjatë një interviste të dhënë në emisionin “Fuori di Juve” në valët e “Radio Bianconera”, Fratini foli fillimisht për strategjinë e “Zonjës së Vjetër” në tregun e transferimeve dhe mundësinë e afrimit të sulmuesit Mauro Icardi, përpara se të ndalej gjerësisht te potenciali i Zhegrovës nën drejtimin e Luciano Spallettit, transmeton Klankosova.tv.
“Sipas mendimit tim, Zhegrova duhet të luajë. 20 minutat janë thjesht një periudhë pushimi. Ai është një lojtar cilësor, e mposht lojtarin përballë, e përfundon lojën dhe ka shumë cilësi që pak veta i kanë. Ai duhet të luajë sepse thjesht i mungon qëndrueshmëria. Le ta lëmë të luajë”, tha Fratini.
Përveç Zhegrovës dhe vlerësimit për potencialin e Alajbegoviçit, Fratini u ndal posaçërisht te rëndësia që ka Kenan Yildiz për formacionin e Juventusit, duke e konsideruar si figurën kyçe të ekipit.