Lajmet e fundit

Ekipet e shpëtimit po përballeshin me baltën, ndërsa rreziku për përmbytje të reja mbetej i lartë. Deri tani, ekipet emergjente kanë nxjerrë 586 trupa, ndërsa disa prej viktimave janë marrë nga rrjedha e ujit dhe janë bartur deri në Indi.
Numri i personave të zhdukur në Nepal dhe Kinë ka kaluar shifrën 2,400 të premten, duke nxjerrë në pah përmasat e katastrofës, disa ditë pasi një mur uji dhe mbetjesh, i ngjashëm me një cunami, përfshiu fshatra të tëra dhe la qindra të vdekur.
Shifrat e reja u publikuan pasi autoriteti për menaxhimin e katastrofave në Nepal shtoi 933 punëtorë të hidrocentraleve në listën e personave të zhdukur. Në këtë listë tashmë ndodheshin edhe turistë dhe pelegrinë që kishin vizituar malin e shenjtë Kailash në Tibet.
Të afërmit janë mbledhur nëpër spitalet e kryeqytetit të Nepalit, në një kërkim të dhimbshëm për familjarët e tyre. Në muret e spitaleve janë vendosur postera me fotografi dhe emrat e personave të zhdukur.
“Sot është dita e tretë dhe nuk dimë asgjë. Shpresojmë që ai të jetë në një vend të sigurt”, tha për agjencinë e lajmeve AFP Samjhana Thing, 27 vjeçe, duke iu referuar vëllait të saj. “Humbëm gjithçka. Ai është gjithçka për ne.”
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se katastrofa, më vdekjeprurësja për Nepalin që nga tërmeti i vitit 2015, u shkaktua nga shembja e një akullnajeje, e cila shkaktoi një rrjedhë masive mbetjesh të akullta.