Gashi thotë se Kurti nga Rugova dallon sepse e do krejt pushtetin për vete

Gashi thotë se Kurti nga Rugova dallon sepse e do krejt pushtetin për vete

NULL NULL
1 month më parë

Publicisti Shkëlzen Gashi, i cili edhe ka qenë këshilltari i Albin Kurtit sa ishte kryeministër, ka thënë se ai për dallim nga ish-presidenti Ibrahim Rugova është që i do krejt për vete.

Ai këtë deklaratë e bëri në Rubikon derisa po komentonte sloganin e sapo zbuluar të Vetëvendosjes, “Krejt dhe drejt”, njofton Klan Kosova.

“Sendi i parë që m’u kujtua kur e pashë sloganin e Vetëvendosjes është Ibrahim Rugova në zgjedhjet e para pas luftës në Kosovë. Fryma e tanishme është e ngjashme me vitin 2000 për mua. Kur pat shkuar Rugova në një fshat të Kosovës edhe i kanë thënë se krejt fshati kanë vendosur që të votojnë për ty dhe përgjigja e tij ishte: “Ju lutem votoni edhe për të tjerët kapak sepse jemi në demokraci”. Pra, ky është dallimi kryesor mes Kurtit dhe Rugovës, sepse Kurti e do krejt. Kjo “drejt” mbetet të shihet. Por, “krejt” nuk më pëlqen dhe më shqetëson meqë jemi në demokraci. Nëse është ky kuptimi që kanë dashur t’i japin”.

Për vlerësimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që 47 kandidatë për deputet nuk kanë të drejtë gare e që në mesin e tyre u përfol që është edhe Kurti, Gashi ka vlerësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të motivuar politikisht e aspak në drejtësi.

“Dënimi nuk është bërë për shkak se ai e ka keqpërdorë buxhetin e Kosovës, nuk është bërë për shkak se e ka shkelë interesin publik të Kosovës me ndonjë vendim të tij, qoftë si politikan pozitar apo opozitar. E kam të vështirë të besoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i motivuar prej drejtësisë dhe mendoj që është dashur të merret parasysh që ky dënim ka qenë me kusht, në fund të fundit. Kjo duhet të dallojë”.

Gashi po ashtu ka thënë se duhet potencuar se dënimi për Kurtin është dënim për shkak të qëndrimeve të tij politike meqë ai ka kundërshtuar dy procese politike.

“Ai ka menduar se demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacione janë procese të dëmshme dhe i ka kundërshtuar. Për metodat që i kanë përdorë është diskutabile se a është në rregull me hedhë gaz në Parlament të Kosovës apo jo. Personalisht mendoj që ka qenë gabim përdorimi i gazit sepse është dashur të kundërshtohet me argumente”.

“Motivi i atyre që qëndrojnë prapa kësaj është për ta dëmtuar Vetëvendosjen, por efekti ka me qenë kundërproduktiv sepse kjo vetëm mundet me e rritë.

Gashi përsëriti se është i bindur që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë gjithmonë të ndikuara politikisht.

“Ka boll argumente për këtë. Nëse e merr dhe e sheh profilin profesional dhe etik të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese prej se është themeluar deri më sot vjen në këtë përfundim që ata e kanë vështirë të marrin vendime profesionale dhe etike”.