Lajmet e fundit

Kadir Hovarda, 17-vjeçar, ka krijuar një platformë në gjuhën shqipe, e cila synon të mbledhë dhe prezantojë materiale e burime që lidhen me arkivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së fundit.
I riu foli për për projektin e tij në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, ku tregoi se ideja për krijimin e platformës i lindi gjatë periudhës kur nisën proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.
Hovarda tha se gjatë bisedave me bashkëmoshatarët e tij kishte vërejtur mungesë të informacionit rreth historisë së UÇK-së dhe luftës.
“Për mua është më e vogla që mund të bëj për Kosovën dhe historinë e Kosovës”, u shpreh ai.
Ai tregoi se kishte menduar që informacionet t’i përmblidhte në një platformë digjitale, me synimin që të jetë më e qasshme për të rinjtë.
“Ideja ime normalisht gjatë kohës kur fillohet me u gjyku ish-krerët e UÇK-së, kë e pyetsha prej rinisë ose prej moshatarëve të mi, e shihesha që nuk kishin fare informata. Normalisht që edhe kohëve të fundit bota është duke u digjitalizuar, dhe unë kam vendos me e bë librin në formë të platformës”, tha Hovarda.
Sipas tij, kalimi i projektit në formatin digjital ka bërë që ai të marrë më shumë vëmendje nga të rinjtë, të cilët sipas tij informohen gjithnjë e më shumë përmes platformave online dhe rrjeteve sociale.
Hovarda theksoi gjithashtu se burimet e përdorura në platformë janë verifikuar para se të publikoheshin.