9:51, 15 Korrik 2020

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaqi, ka thënë se kanë pasur vetëm një të burgosur në Pejë i cili ka rezultuar pozitiv para katër javësh me koronavirus.

I infektuar ishte edhe një i paraburgosur i cili është identifikuar para se të hyjë në Qendrën e Paraburgimit.

Thaçi theksoi se 20 zyrtarë korrektues kanë qenë të infektuar, ku 16 janë shëruar ndërsa katër po marrin trajtim mjekësor në shtëpitë e tyre.

“Aktualisht ne kemi arritur ta menaxhojmë situatën në qendrat korrektuese të paraburgimit. Si rezultat i këtij menaxhimi veç u bë disa mujor t’i marrim veprimet e ndryshme të cilat kanë dhënë rezultatet e veta”.

“Deri më tash kemi pasur vetëm një të burgosur në Pejë i cili ka rezultuar pozitiv para katër javëve dhe kemi pasur një të paraburgosur i cili është identifikuar para se të hyjë në qendrën e paraburgimit”.

“Nuk kemi të infektuar brenda burgjeve. Vetëm 20 zyrtarë korrektues kanë qenë të infektuar dhe janë aktiv vetëm katër, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre është shumë e mirë dhe të gjithë janë në vetizolim në shtëpitë e tyre”.

Kreu i SHKK-së shtoi se kanë instaluar nëpër të gjitha Qendrat sistemin Skype, ku përmes tij të burgosurit mund të flasin me familjarët e tyre, raporton Ekonomia Online përcjell Klan Kosova.

“Ndër vendimet e para në mars ka qenë edhe ndalimi i vizitave të familjarëve. Ne kemi instaluar nëpër të gjitha qendrat komunikimin virtual ku kanë pasur mundësinë përmes telefonit pa limit dhe kemi instaluar edhe sistemin Skype. Ne të premten kemi vendosur që t’i ndalim të gjitha vizitat e familjarëve”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë