Lajmet e fundit

Zyrtarët policorë të Rajonit të Prishtinës kanë realizuar gjatë javës së kaluar gjithsej 82 urdhëresa të gjykatës, në lokacione të ndryshme dhe në kuadër të aksioneve të ndara.
Sipas Policisë, nga numri i përgjithshëm i urdhëresave, 41 kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe raste të tjera, transmeton Klankosova.tv.
Në përputhje me urdhëresat e gjykatës, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit. Ndërkohë, personat e dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Aktivitetet policore gjatë kësaj periudhe janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.
Gjatë javës së kaluar, në Rajonin e Prishtinës janë sekuestruar 16 armë zjarri, si pjesë e veprimeve policore në terren.
Po ashtu, në të njëjtën periudhë, Policia ka shqiptuar gjithsej 4,314 masa administrative me gjobë për kundërvajtje dhe shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Nga këto, 570 gjoba janë evidentuar përmes veturave inteligjente dhe veturave me radar mobil.