Lajmet e fundit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për një rritje të rasteve me fruth në vend.
Sipas të dhënave të fundit, nga 16 prilli deri më 24 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 147 raste, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 10 raste të reja.
Numri i rasteve të konfirmuara deri më tani është më shumë se dyfishi i rasteve të raportuara gjatë tërë vitit 2025, transmeton Klankosova.tv.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë, me 49 raste, dhe në Fushë-Kosovë, me 35 raste. Pas tyre renditen Ferizaj me 13 raste, Obiliq me 9, Lipjani me 8 dhe Kaçaniku me 7 raste.
Raste janë raportuar edhe në Vushtrri dhe Shtime nga katër, Skenderaj dhe Drenas nga tri, ndërsa në Gjilan, Gjakovë, Shtërpcë dhe Deçan nga dy raste. Nga një rast është konfirmuar në Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë dhe Viti.