Mungesa e reshjeve të borës cenon Olimpiadën në Tokyo

Mungesa e reshjeve të borës cenon Olimpiadën në Tokyo

8 muaj më parë

Planet e organizatorëve të “Tokyo 2020” për të freskuar me dëborë spektatorët e Lojërave Olimpike janë cënuar nga mungesa e reshjeve në këtë dimër “të nxehtë”.

Ndër masat e marra për Lojërat Olimpike të verës së ardhshme është përdorimi i topave artificialë të dëborës dhe të dëborës natyrale që bie në Minamiuonuma, një qytet në prefekturën e Niigata (veriperëndim). Mirëpo temperaturat jashtëzakonisht të larta të këtij dimri kanë bërë që reshjet të jenë në sasi të vogla.

“Kjo është hera e parë që ne nuk kemi grumbulluar dëborë në fillim të vitit. Kjo ishte mundësia jonë për ta bërë të njohur dëborën e Minamiuonumas në mbarë botën, por …”, – deklaroi një zyrtar lokal për këtë javë për gazetën Mainichi, që i bën jehonë problemit.

Deri të martën kishte rënë vetëm 15 centimetra dëborë në ambientet e depozitimit të qytetit, ndërsa një vit më parë ishte regjistruar 1.5 metra.

Plani i hartuar nga organizatorët e “Tokio 2020” ishte që që Minamiuonuma të ruante rreth 5 metra dëborë midis fundit të dimrit dhe fillimit të Lojërave Olimpike, për ta transportuar më pas në kontejnerë të ftohur me tren ose kamion në ambientet olimpike të futbollit dhe basketbollit në Saitama (në veri të Tokios).

Është planifikuar të instalohet një tendë afër impianteve, në mënyrë që spektatorët të mund të qetësoheshin dhe të largoheshin menjëherë nga temperaturat e larta. Ndjesia termike rritet për shkak të niveleve të larta të lagështisë gjatë sezonit të verës. Dëbora e depozituar do t’u shërbente spektatorëve për të luftuar nxehtësinë.

Mirëpo qyteti i Minamiuonuma nuk ka parë të bjerë borë në më shumë se 10 ditë të këtij muaji të parë të vitit dhe madje edhe gjatë ditëve kur pati reshje shtresa e dëborës arriti maksimalisht 10 centimetra.

Qyteti nuk ka një plan specifik të emergjencave, megjithëse autoritetet do të mendonin të merrnin dëborë nga zona të tjera që kanë regjistruar akumulim më të madh. Transferimi në këtë rast do të ishte më i shtrenjtë sesa pritej. Agjencia Meteorologjike e Japonisë (JMA) gjithashtu parashikon mungesë të reshjeve të dëborës në rajon edhe për ditët që do të vijnë, shkruan Supersport.al.