14:43, 18 Qershor 2020

Listës së gjatë të bursistëve Olimpikë Tokio 2020 i janë shtuar edhe xhudistja, Laura Fazliu dhe karateisti, Elhami Shabani, të cilët sot nënshkruan kontratat me Komitetin Olimpik të Kosovës.

Xhudistja Fazliu, që garon në kategorinë deri në 63 kilogramë dhe karateisti Shabani në kategorinë deri në 75 kilogramë, do të përfitojnë nga Komiteti Olimpik i Kosovës shumën në vlerë 100 Euro në muaj, deri në përfundim të ciklit Olimpik kualifikues, si dhe do të mbështeten për përgatitje jashtë vendit, transmeton Klan Kosova.

Në emër të KOK-ut, nënshkroi presidenti Besim Hasani, i cili tha se të dy sportistët janë duke ndjekur me sukses normën Olimpike Tokio 2020.

“Me nënshkrimin e këtyre kontratave, statusi i këtyre sportistëve ngrihet në nivel më të lartë, pasi tash e tutje trajtohen si bursistë Olimpikë. Unë ju dëshiroj punë të suksesshme gjatë kësaj periudhe kohore, kur ka mbetur edhe një vit në fazën kualifikuese, andaj pritshmëritë tona janë që ju të dy të bëheni me normë Olimpike dhe të na përfaqësoni në LO Tokio 2020”, tha presidenti Hasani, duke shtuar se KOK-u do ta vlerësojë lart çdo progres të tyre.

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë