Bashkëpunëtorët për Adem Mikullovcin: Aktor legjendar, njeri i afërt, punëtor i madh e tepër profesionist

Bashkëpunëtorët për Adem Mikullovcin: Aktor legjendar, njeri i afërt, punëtor i madh e tepër profesionist

11 https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/09/foto.jpg
nga Liridon Zeqiri 1 javë më parë

Adem Mikullovci sot lëshoi perdet e skenës së teatrit të madh – jetës.

Aktori i madh dha frymën e fundit në moshën 81 vjeçare në Prishtinë.

Për bashkëpunëtorët e tij nga fusha e artit, ai mbetet shembull se si duhet puna.

Teuta Krasniqi thotë se “Baca Adem”, siç e thërret ajo, ishte njeriu më punëtor që njihte.

“Ka pasur raste ku na ka thirrur edhe në orën 05:00 të mëngjesit dhe na ka thënë “çohuni se shkoi dita”, është shprehur aktorja Krasniqi për klankosova.tv.

“Ka qenë shumë punëtor i madh, tepër profesionist. Nuk ka qenë më i urti. Ka qenë kritikues, por këtë e ka bërë gjithmonë kur është dashur”.

“Ai ka qenë i pari që më ka ftuar të luajë në një projekt në aktrim, kur unë isha vetëm 16-17 vjeçare. Ma ka besuar rolin, ishte një ngjarje shumë e madhe për mua. Në fund ma ka dhënë një zarf ku ishte pjesa e honorarit. Përveç që ishte privilegj të luaja, ai edhe më pagoi. Këtë ia kam përmend gjithmonë pastaj”.

Vdekja e Mikullovcit për të është humbje e madhe për skenën kosovare.

“Ka qenë aktor dhe regjisor që nuk ka hequr dorë kurrë prej qëllimeve të tij. Edhe kur ka qenë jo mirë më shëndetin ai ka qenë i pari që është ‘vizatuar’ në skenën e aktrimit. Ai ka qenë që e ka mësuar tekstin nga të parët. Para të gjithë neve që ishim shumë më të rinj”

Krasniqi ka thënë se Mikullovcin e njihte që prej se ishte fëmijë, derisa ishin fqinj në lagjen Ulpiana në kryeqytet.

Shumë thotë se e njihte edhe aktori tjetër kosovar, Naser Rafuna.

“Kemi qenë shumë të afërt me njëri-tjetrin. I kemi ditur edhe detajet e fundit të jetës së njëri-tjetrit. E di jetën e tij në detaje”, është shprehur Rafuna.

“Ishte aktor, profesionist i madh deri në pikën e fundit. E kishte humorin unik”.

“Ai ka ditur që t’i përshtat me humorin e tij secilit. Ka qenë personifikim i lidhjes me njerëzit. Unë kam pasur me të kontakte ne vazhdimësi. Edhe në kohën sa ka qenë i sëmurë kam kontaktuar shpesh me të”.

Për Rafunën sot skena e artit dhe komuniteti artistik ka humbur një njeri me vlera.

Ai thekson se për njerëzit si Adem Mikullovci institucionet e kulturës duhet të bëjnë më tepër se që janë duke bërë, e që kanë bërë edhe për “Bacën Adem”.

“Njerëzit si Adem Mikullovci që jetën ia kushtojnë teatrit, skenës, po harrohen shpejt. Ata nuk e meritojnë vetëm një pension 100 e sa euro në muaj. Duhet përkujdesje për ta. Nuk është se ka shumë të tillë”.

Fjalë të zgjedhura për figurën e Adem Mikullovcit ka edhe bashkëpunëtori tjetër për shumë vjet, Donat Qosja.

“Është aktor legjendar,  është njeri i paharrueshëm”, shprehet ai.

“Ka qenë prej aktorëve me mendjhapur. E kemi konsideruar me të riun e grupit gjithmonë, sepse energjinë që ka pasur ka qenë e jashtëzakonshme”.

Edhe Qosja thotë se pavarësisht dallimit të madh në moshë që kishin, Mikullovci ishte shumë i afërt me ta.