10 milionë euro më pak për policinë në projektbuxhetin e 2021-ës, reagon sindikata (VIDEO)

10 milionë euro më pak për policinë në projektbuxhetin e 2021-ës, reagon sindikata (VIDEO)

NULL NULL
2 muaj më parë

Gjatë ditës së sotme, Këshilli i Përgjithshëm i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka reaguar kundër projektbuxhetit për vitin 2021 që, sipas tyre, parasheh 10 milionë euro më pak buxhet për Policinë e Kosovës.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli, ka thënë se kjo do të ndikojë në punën e policëve, derisa ka shtuar se derisa kanë pritur që të plotësohen kërkesat e tyre paraprake është reduktuar buxheti.

“Tashmë është publike. Policia e Kosovës ka buxhet për vitin e ardhshëm për 10 milionë euro më pak. Ne e kemi kundërshtuar këtë buxhet të cilin e ka paraparë qeveria”.

“Nga bisedimet që kemi pasë më herët kemi pritur që për policët do të ketë shujtë, rritje të rrogës, sigurim shëndetësor, sigurim aksidental, pension invalidor, si dhe pension të hershëm, por asnjë nga këto nuk ka ndodhur. Këtë vit kemi 600 policë të rinj, derisa presim që së shpejti të kemi edhe 400 të tjerë. Kemi mungesë të anti-plumbave ku 80 përqind të tyre janë me afat të skaduar, derisa kemi mungesë edhe të veturave dhe të pajisjeve të tjera. Duke i parë të gjitha këto dhe të jenë edhe 10 milionë euro më pak buxhet, nuk e di se ku do të përqendrohet qeveria. Aty shkruan në paga, mëditje dhe mallra, por pavarësisht ku preket buxheti, ato janë shumë të ndjeshme për Policinë e Kosovës”.

Tasholli, në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë se duke marrë parasysh që policët në kohë pandemie janë duke punuar me orar të tejzgjatur shkurtimi i buxhetit do të ndikojë në plotësimin e nevojave të tyre.

“Ne kemi orar shtesë që është bukur i ngjeshur, prandaj nuk e di se si do të mbulohen të gjitha nevojat me atë buxhet që është paraparë. Me siguri që do të ulet edhe motivi kur buxheti është kaq i mangët”.

Por, cilët do të jenë hapat e Sindikatës së Policisë së Kosovës në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre dhe projektbuxheti votohet si i tillë?

“Lus kryeministrin, qeverinë dhe parlamentin që ta shqyrtojë këtë buxhet edhe njëherë. Ne kemi lënë mangu shumë gjëra, si çështja e shujtës, sigurimi shëndetësor, sigurimi aksidental, pensioni invalidor dhe pensioni i hershëm, duke e ditur Kosovën në çfarë gjendje është. I kemi lënë anash me kushtin që të paguhen orët shtesë që ka premtuar kryeministri dhe shtesa prej 100 eurosh në muaj nga Pakoja e Emergjencës”.

“Sa i përket buxhetit, ne do të konsultohemi me drejtorinë tonë, ministrinë dhe qeverinë. Nëse qeveria është në atë gjendje që medoemos është në minus, atëherë duhet të jetë minus në gjithë Kosovën dhe jo vetëm në polici”.