17:07, 25 Maj 2020

Për dy javë Komuna e Pejës nuk ka pasur asnjë rast të ri me COVID-19 përkundër që vazhdimisht janë bërë testime.

Kjo komunë vazhdon të ketë nëntë persona aktivë me COVID-19, derisa janë shëruar 63 persona.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës Petrit Loci tha për KosovaPress, se nuk kanë raste të reja tashmë dy javë, ndërsa theksoi se po rritet numri i personave të shëruar.

“Kemi kaluar më shumë se dy javë që kemi hyrë në një qetësi relative ashtu ta them dhe fatmirësisht përkundër testimeve të shumta të cilat janë bërë në qytetin e Pejës dy javët e fundit, ritestimeve situata qëndron e mirë, nuk kemi raste të reja të cilët rezultojnë pozitiv me COVID-19. Ndërsa, jemi duke u marrë me rastet të cilat kanë qenë aktive dhe nga dita në ditë po rritet numri i të shëruarve në krahasim me numrin e të prekurve”, tha ai.

Komuna e Pejës ka pasur 74 persona me COVID-19, prej të cilëve dy kanë vdekur, 63 janë shëruar, ndërsa nëntë persona vazhdojnë të jenë aktiv me koronavirus.

Loci tha se gjendja e nëntë personave është stabile.

“Në tërë territorin e Komunës së Pejës kemi 74 persona të prekur, prej të cilëve janë dy të vdekur, 63 të shëruar dhe nëntë vazhdojnë të jenë aktiv që besojmë brenda disa ditëve do të rezultojnë si negativë dhe të shërohen. Çka do të arrinim kulmin e shërimit të të gjithë pacientëve të prekur dhe besojmë që mos të kemi raste të reja në ditët që na presin. Gjendja në përgjithësi ka qenë e gjithë të prekurve në Komunën e Pejës në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma të theksuara me përjashtim të disave që kanë qenë të shtruar në Klinikën Infektive në Prishtinë, por edhe ata tani janë të liruar dhe janë duke u trajtuar në vetizolim në shtëpitë e tyre në gjendje të mirë shëndetësore”, tha ai.

Përkundër që Peja për dy javë nuk ka raste të reja me COVID-19, Loci thotë se lehtësimi i masave duhet të bëhet në mënyrë graduale.

“Unë nuk jam ithtar i asaj që të shkohet më shpejt se që parashohin ekspertët e fushës në IKShPK. Ata bëjnë vlerësimin e nevojshëm në bazë të gjendjes në përgjithësi në tërë territorin e vendit. Ne jemi pro asaj që të shkohet me hapa ashtu siç i ka ndjekur deri më tani Ministria e Shëndetësisë dhe që të mos ngutemi për shkak se kjo gjendje e mirë të vazhdojë edhe më tutje, e mos të na kthehet në bumerang, në favor të COVID-19”, u shpreh ai.

Komuna e Pejës ka 74 persona me COVID-19, ndërsa në nivel vendi numri ka shkuar në 1 mijë e 32 raste, me 29 vdekje.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë