​Martinsen: UNMIK dhe qeveritarët e Kosovë thyen “besën” me gratë e dhunuara gjatë luftës (VIDEO) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

​Martinsen: UNMIK dhe qeveritarët e Kosovë thyen “besën” me gratë e dhunuara gjatë luftës (VIDEO)

NULL NULL
18/09/2022

Dokumentuesi i dhunimeve në Kosovë gjatë luftës, e konsideron të mistershme mos gatishmërinë e shtetit për drejtësi. Eksperti norvegjez, Josef Martinsen deklaron se është thyer “besa”, kur u ishte premtuar drejtësi 423 grave të dhunuara seksualisht nga forcat serbe. Të gjitha këto kishin bërë marrëveshje me UNMIK-un dhe qeverinë e atëhershme, por përveç që nuk u ndihmuan, ato e patën të vështirë të rikthehen në komunitet. Martinsen i cili ka shkruar dy libra për krimet e kryera në Kosovë, në një intervistë për KosovaPress, kritikon edhe mënyrën se si po funksionon Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Koordinatori i UNHCR-së gjatë viteve ’98-99 në intervistën për KosovaPress, flet për drejtësinë e mohuar për rreth 20 mijë gra e burra të dhunuar seksualisht gjatë luftës. Ai tregon se si nuk u zbatua marrëveshja që u firmos nga 423 gra me UNMIK-un dhe qeverinë e atëhershme.

“Në shqip ka një fjalë të quajtur “Besa”, kur jep fjalën, e mban, por kjo qeveri apo të gjitha qeveritë që nga viti ’99, fillimisht UNMIK-u, e pastaj qeveritë, nuk arritën ta përfundojnë këtë rast, dhe shumë herë pyes veten; Cila është arsyeja? A ka ndonjë agjendë të fshehur? Po, gjëra të tjera, që qeveria i di, ose UNMIK-u i di, por që ne nuk i dimë. A mund të jetë kjo arsyeja pse ata nuk e përcollën këtë rast? Pra, është shumë e çuditshme, e gjithë kjo. Kështu që në vitin 2015, kur unë dhe Liridona personalisht filluam t’i shkruajmë qeverisë, i shkruam secilit atje, kemi pasur kontakte dhe letrat i kemi botuar edhe në gazetë por kjo nuk e shqetësoi askënd. A mund ta imagjinosh? Njerëzit në Kosovë i kanë bërë kërkesë Qeverisë, publikisht me letra, por Qeveria nuk u mërzit, duket se as nuk u munduan të përgjigjen, dhe për mua ky është mister. Pse nuk u përgjigjën? Pra, vitet kaluan”, deklaron Martinsen për KosovaPress.

Josef Martinsen pret që pas më shumë se dy dekadave të ketë një përgjigje nga institucionet dhe të vendoset drejtësi për rastin e 423 grave të dhunuara nga forcat serbe.

Më poshtë mund ta ndiqni edhe një kronikë të Klan Kosovës për dokumentimin e tmerreve serbe nga eksperti norvegjez, Josef Martinsen.