11:14, 14 Qershor 2018

Zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë (MSh) kanë dhuruar gjak në fillimin e Javës së Dhurimit të Gjakut dhe Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë që ka sigurimi në kohë i gjakut dhe produkteve të tij në shpëtimin e jetëve të atyre që kanë nevojë.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për Informim në këtë ministri, tha se procesi i dhurimit të gjakut përpos anës humanitare përmban edhe anën pozitive shëndetësore. Hoti shtoi se çdo dhurues ndihet mirë sepse po u ndihmon të tjerëve, raporton EO.

“Ky proces i ka disa të mira dhe ajo më e rëndësishmja është se vjen në shprehje ajo vlera humanitare për të ndihmuar. Çdo dhurues besoj se ndihet mirë kur dhuron gjak sepse e po ndihmon dhe ana tjetër pozitive e dhurimit të gjakut është se para që t’i nënshtrohet këtij procesi e përfiton një vizitë mjekësore, kontrolle falas dhe është fakt i njohur shkencor se të gjithë ata që dhurojnë gjak janë më pak të ekspozuar ndaj sëmundjeve të sistemit kardiovaskular, diabetit. Pra përpos anës humanitare ky proces ka edhe anën pozitive shëndetësore”.

Hoti apeloi të gjithë ata që gëzojnë shëndet dhe peshë mbi 45 kilogramë t’i bashkohen aksionit për dhurimin e gjakut.