23:07, 10 Korrik 2015

Adem Demaçi, jeta dhe veprimtaria e tij, kanë qenë fokus i edicionit të sotëm, special, të Zonës së Debatit, në Klan Kosova.

Një emision i titulluar “Rrëfimi për Adem Demaçin, njeriun e kombit”, ka përmbledhur gjithçka nga jeta e veprimtarit të shquar shqiptar, dhe ish të burgosurit politik nën regjimin jugosllav.

I ftuar i Baton Haxhiut, ishte biografi i Demaçit, Selatin Novosella, i cili foli për etapa të ndryshme të jetës së “njeriut të kombit”.

“Adem Demaçi është një njeri që ka flijuar gjithçka në jetën e tij, duke përfshirë edhe fëmijët, gruan e nënën”.

“Demaçin e ka shpërblyer zoti, prandaj të jesh me të në momente të caktuara kur edhe jeta e vdekja bashkëjetojnë është vërtetë e mrekullueshme”.

“Ai ishte gjithmonë i njëjti Demaç. Asnjë situatë për të nuk ka qenë e tillë që të cilësohet e jashtëzakonshme”.

Novosella duke folur për Bacin, siç e quan ai Demaçin, tha se ai ishte më shumë sesa një intelektual i rëndomtë.

“Guximi i tij i kalonte kufijtë e një intelektuali të zakonshëm. Ballafaqimi me Rankoviqin është historik”.

“Demaçi nuk deshi t’i ndante shqiptarët. Kjo është një filozofi e tija, ai asnjëherë nuk ka menduar për pozicionin e tij politik. Edhe pse Demaçi nuk ishte në politikë, vizioni i tij ishte aty. Ai ishte heroi brenda shpirtit të kosovarëve”, deklaroi Novosella, transmeton Klan Kosova.

Mysafiri në studio të Zonës së Debatit, trajtoi shumë aspekte të jetës së veprimtarit të madh shqiptar.

Emisioni për një orë e gjysmë sa zgjati, preku pjesë dhe momente të ndryshme politike e intelektuale të Demaçit, por edhe raportin e tij me të tjerët.

Burgu dhe liria, Demaçi për Ibrahim Rugovën, për Shqipërinë, Demaçi dhe UÇK-ja, Demaçi pas Rambujesë, për pozitën e presidentit, për liderët, për Jugosllavinë, janë disa nga kryetemat e diskutuar nga Novosella në Zonën e Debatit.

Biografi Novosella e quajti Bacën Adem si një njëri që ka mposhtur çdo regjim që ka jetuar, duke përmbyllur kështu misionin  e tij atdhetar.

“Ai i ka përjetuar regjimet e liderëve të Jugosllavisë, Rankoviq, Tito dhe Millosheviq. Adem Demaçi është fitimtar ndaj këtyre personaliteteve që kanë vdekur edhe fizikisht, edhe politikisht edhe ideologjikisht”.

“Ai i ka mundur këto regjime dhe e ka përfunduar misionin e tij historik”, tha Novosella.